
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) ka bërë të ditur se operimet ajrore po vijojnë normalisht dhe nuk janë ndikuar nga kriza globale e furnizimit me karburant për avionë.
Sipas njoftimit zyrtar, të gjitha nisjet nga Tirana drejt destinacioneve ndërkombëtare po kryhen sipas planit, pa vonesa apo kufizime të shkaktuara nga mungesa e karburantit.
TIA thekson se partneri i tij zyrtar për furnizimin me karburant, kompania Air BP, ka siguruar rezerva të mjaftueshme për të përmbushur nevojat aktuale dhe të ardhshme të aeroportit.
Kjo garanci, sipas aeroportit, bazohet edhe në rritjen e ndjeshme të fluksit të pasagjerëve gjatë viteve të fundit, që ka nxitur forcimin e zinxhirit të furnizimit.
Autoritetet e aeroportit theksojnë se situata mbetet e qëndrueshme dhe se operimet ajrore do të vijojnë pa ndërprerje apo shqetësime.