Vendosni fjalën kyçe....

Aksidenti me dy viktima në Durrës, zbardhet dëshmia e shoferit: Isha me 30km/h, kisha pirë një birrë në mëngjes


Zbardhet dëshmia në polici e 57-vjeçarit Nikoll Radiçi, drejtuesit të mjetit që shkaktoi aksidentin tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy të mitur dhe u plagos një tjetër.

Sipas deklarimeve të tij, ai po lëvizte me automjetin kur një mjet tjetër i ka prerë rrugën, duke e detyruar të devijojë dhe të përfundojë në trotuar, ku u përplas me fëmijët. Radiçi ka pohuar se nuk i njihte viktimat dhe se po lëvizte me rreth 30 km/h, ndërsa ka pranuar se kishte konsumuar një birrë para se të drejtonte mjetin.

“Rreth orës 14:00 dola nga shtëpia bashkë me mjetin dhe do shkoja të merrja një vegël pune te një shoku im. Unë po drejtoja automjetin në korsinë e djathtë dhe papritur në një rrugicë lagjeje doli një automjet.

Unë devijova për të shmangur këtë automjet dhe kam përfunduar sipër trotuarit të anës së majtë të rrugës.

Pasi hipa në trotuar jam përfshirë në aksident me disa fëmijë që ndodheshin dhe kam shkuar disa metra më përpara. Unë dola nga makina dhe kam shkuar tek një dyqan aty pranë ku punonjësve të dyqanit ju kam thënë të njoftojnë policinë pasi kam bërë aksident.

Unë kam qëndruar tek dyqani deri sa erdhi policia dhe më mori për në komisariat”, mësohet të jetë shprehur 57-vjeçari.

Pyetje: Ju pretendoni që automjeti ju ka ndërprerë rrugën, a ju kujtohet ndonjë detaj në lidhje me këtë mjet?
Përgjigje:
 Për momentin nuk më kujtohet asnjë detaj.

Pyetje: A i njeh fëmijët me të cilët jeni përfshirë në aksident?
Përgjigje: Jo nuk i njoh.
Pyetje: Me çfarë shpejtësie keni qenë në momentin e aksidentit?
Përgjigje: Unë kam qenë me rreth 30 km/h.
Pyetje: Në zbatim të procedurës standarde ju është bërë testi i alkoolit, i cili ka rezultuar në masën 0.73 mg/l testi i parë dhe 0.70 mg/l testi i dytë. A keni konsumuar alkool përpara se të drejtonit automjetin?
Përgjigje: Përpara se të drejtoja automjetin unë kam pirë një birrë në mëngjes.
Pyetje: A keni gjë tjetër për të shtuar?
Përgjigje:
 Gjë tjetër nuk kam për të shtuar, sa më sipër janë thëniet e mia të cilat pasi i gjej të shkruajtura drejt, i firmos pa vërejtje.