
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar në një konferencë për mediat se opozita do të jetë pjesë e reformave, duke theksuar se nuk do të marrë përsipër përgjegjësinë për bojkotimin e tyre.
“Ne do të marrim pjesë në reformat, në atë Zgjedhoren për shembull. Nuk marrim përsipër përgjegjësinë e reformës së bojkotit. Rama do të bëjë atë që synon por ne do të jemi aty”, u shpreh ai.
Berisha komentoi edhe raportin e miratuar nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian për Shqipërinë, të cilin e cilësoi si një dokument të rëndësishëm dhe objektiv për problematikat e vendit.
Sipas tij, raporti është hartuar pas një misioni faktmbledhës në Shqipëri dhe përmban rekomandime të vlefshme si për qeverinë, ashtu edhe për opozitën.
“Unë dua t’i falënderoj anëtarët e komisionit sepse raporti votohet nga 180 anëtarë a më shumë të cilët përfaqësojnë të gjithë spektrin e Parlamentit Europian. Për shembull, raporteri për Shqipërinë, zoti Andrea Schieder është i grupit të socialistëve. Por mendoj se kemi të bëjmë me një raport jashtëzakonisht të çmuar, objektiv, i cili ka bërë diagnozën e plotë të problematikave me të cilat përballet vendi”, tha ai.
Ai shtoi se Partia Demokratike angazhohet për të përmbushur rekomandimet e këtij raporti, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të ligjeve dhe jo vetëm miratimin e tyre.
Berisha theksoi gjithashtu se raporti evidenton objektivin e Shqipërisë për mbylljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në vitin 2027, duke nënvizuar nevojën për progres konkret në zbatimin e reformave.