Vendosni fjalën kyçe....

Koreja e Veriut mohon akuzat e SHBA-së për sulme kibernetike dhe i cilëson shpifje



Koreja e Veriut ka hedhur poshtë akuzat e SHBA-së për krime kibernetike, duke i cilësuar ato si “shpifje absurde” dhe duke mohuar se përbën një kërcënim në hapësirën digjitale.

Sipas mediave shtetërore për DW, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme deklaroi se Uashingtoni po përhap pretendime të rreme për një “kërcënim inekzistent”, me qëllim justifikimin e politikave armiqësore ndaj Phenianit.

Nga ana tjetër, SHBA ka akuzuar vazhdimisht Korenë e Veriut për përdorimin e sulmeve kibernetike, rrjeteve të punonjësve IT jashtë vendit dhe vjedhjeve të kriptomonedhave për të financuar programet bërthamore dhe të raketave.

Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, sulmet kibernetike të lidhura me Korenë e Veriut kanë gjeneruar mbi 3 miliardë dollarë që nga viti 2017.

Pheniani ka paralajmëruar se do të ndërmarrë masa për të mbrojtur interesat e tij në hapësirën kibernetike, ndërsa tensionet me SHBA-në në këtë fushë mbeten të larta.