Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet 62-vjeçari në Tiranë, dyshohet se ndezi zjarr në Parkun e Dajtit pranë Liqenit të Bovillës



Finalizohet operacioni policor i koduar “Safe” në Tiranë, pas ndërhyrjes së shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në një rast zjarri të rënë në një zonë të mbrojtur natyrore.

Sipas informacioneve zyrtare, ngjarja është regjistruar në fshatin Bulcesh, pranë digës së Liqenit të Bovillës, zonë që përfshihet brenda kufijve të Parkut Kombëtar të Dajtit. Menjëherë pas njoftimit për zjarr në sipërfaqe pyjore, forcat e policisë dhe shërbimet përkatëse kanë ndërhyrë në vendngjarje.

Nga veprimet hetimore dhe operacionale, policia ka identifikuar, kapur dhe arrestuar shtetasin M. I., 62 vjeç, banues në zonë, i dyshuar se ka ndezur zjarr në një sipërfaqe pyjore duke rrezikuar përhapjen e flakëve në masivin e parkut.

Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”, ndërsa vijojnë veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rastit.

Policia e Tiranës u ka bërë apel qytetarëve që të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura, duke theksuar se çdo shkelje e tillë do të përballet me masa ligjore.