
Prokuroria e Posaçme (SPAK) u shpreh pak ditë më parë në lidhje me kërkesën e kreut të PD Sali Berisha, që kryeministri Edi Rama të marrë pjesë si dëshmitar në procesin për dosjen “Partizani”. SPAK deklaroi se vendimi për këtë çështje duhet të merret nga Gjykata e Posaçme.
Pas paraqitjes në SPAK në zbatim të masës detyrim paraqitje, Berisha u shpreh se Rama është kërkuar që në fillim nga të akuzuarit e dosjes, madje si i ndjekur penalisht, për rolin e tij në zonimin dhe ndërtimet në territorin e klubit “Partizani”.
Berisha deklaroi se një pjesë e mirë e territorit të klubit u shndërrua në zonë ndërtimi pa kërkesën e pronarëve, përveç Olsi Ramës, dhe se më pas Rama dha lejet e ndërtimit, por nuk i zbardhi ato. Ai shtoi se gjykata e ka urdhëruar Ramën të zbardhë lejet, por ky i fundit nuk ka zbatuar vendimin, duke dërguar Inspektoriatin e tij për të bllokuar punimet, për çka u dënuar 320 mijë euro, shuma e cila u pagua nga buxheti i bashkisë.