Vendosni fjalën kyçe....

Fragmentet e një rakete godasin jugun e Izraelit, nuk raportohen të lënduar



Të paktën një pjesë e një rakete të interceptuar ka rënë në jug të Izraelit pasditen e së dielës, pa shkaktuar viktima, sipas JPost.

Organizata e emergjencave United Hatzalah njoftoi për incidentin, ndërsa Forcat e Mbrojtjes së Izraelit konfirmuan se njësi të Brigadës së Kërkim-Shpëtimit u dërguan në zonën ku u raportua goditja.

Zyrtarët në Ramat Hovav deklaruan se një fabrikë në zonën industriale mund të jetë goditur nga fragmentet, por theksuan se nuk ka raportime për dëme në zonat e banuara.

Ndërkohë, Autoriteti i Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Izrael bëri të ditur se copëzat e raketës ranë në një zonë të hapur pranë një fabrike, duke mos shkaktuar viktima. Megjithatë, disa fragmente goditën edhe brenda fabrikës, duke shkaktuar dëme të vogla materiale.

Zjarrfikësit ndërhynë për të vënë nën kontroll flakët që shpërthyen pas incidentit.

Ngjarja ndodhi pasi sirenat e alarmit u aktivizuan në zonën e Beersheba rreth orës 13:35 dhe 13:50.

Më herët gjatë ditës, militantë të Hezbollahut lëshuan raketa drejt veriut të Izraelit, duke aktivizuar sirenat në zonën e Haifa, por pa shkaktuar dëme apo të lënduar.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë në Izrael raportoi se që nga nisja e operacionit “Roaring Lion”, janë regjistruar gjithsej 6,833 persona që kanë marrë trajtim në spitale, nga të cilët 138 vijojnë të jenë të shtruar.