
Një avion luftarak amerikan F-15E është rrëzuar mbi territorin e Iranit të premten, ndërsa piloti ka arritur të shpëtojë pasi është hedhur me parashutë, përcjell Fox News.
Autoritetet amerikane bëjnë me dije se vijojnë kërkimet për anëtarin tjetër të ekuipazhit, oficerin e sistemeve të armëve (WSO), për të cilin ende nuk dihet nëse ka arritur të katapultohet.
Gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit, dy helikopterë që ishin pjesë e misionit janë dëmtuar nga zjarri armik. Raportohet për disa të plagosur në radhët e ekuipazhit të tyre, por ata kanë arritur të kryejnë ulje të sigurt.
Ndërkohë, një tjetër avion amerikan, tip A-10 “Warthog”, është rrëzuar pranë Ngushticës së Hormuzit pasi është qëlluar, por piloti është shpëtuar.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është informuar mbi ngjarjen, ndërsa përplasjet direkte mes forcave amerikane dhe Iranit vijojnë të intensifikohen.
Në këtë kuadër, forcat izraelite kanë pezulluar përkohësisht sulmet ndaj Iranit për të ndihmuar në operacionin e kërkim-shpëtimit, duke ofruar edhe mbështetje në inteligjencë për gjetjen e anëtarit të zhdukur të ekuipazhit.