
Kryeministri Edi Rama ka vijuar me episodin e radhës të podcastit “Flasim”, ku ka reaguar ndaj deklaratave të opozitës për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Rama i cilësoi si të pavërteta pretendimet se negociatat me BE janë bllokuar, duke theksuar se procesi i integrimit po vijon normalisht.
“Është bërë e vështirë të marrësh informacion të drejtë për drejtë, aq më tepër kur ka nga ata që bëjnë çmos që punët e Shqipërisë të mbulohen me ziftin dhe baltën e dëshpërimit dhe mllefit të tyre. Shqipëria ka probleme dhe kemi punë për të bërë, jo çdo punë e kemi bërë si dhe sa duhet, por Shqipëria punon dhe puna e saj në tërësi është në vijë. Siç është në vijë procesi më i rëndësishëm historik i integrimit në BE. Deklaratat për bllokimin e negociatave janë një gënjeshtër e madhe,” u shpreh Rama.
Ai shtoi se, sipas tij, pakica në Kuvend po përpiqet të nënvlerësojë arritjet e qeverisë dhe progresin e bërë në rrugën drejt integrimit europian.