Vendosni fjalën kyçe....

Kapet bosi i Camorras, Roberto Mazzarella, në një resort luksoz në Itali


Arratia e një prej emrave më të frikshëm të Camorra-s ka përfunduar mbrëmjen e së premtes në bregdetin e Amalfit.

Mazzarella, 48 vjeç, drejtues i klanit që mban emrin e tij dhe një nga figurat më të rrezikshme në botën kriminale italiane, u arrestua nga forcat e Carabinieri në një vilë në Vietri sul Mare, ku po qëndronte me familjen e tij.

Ai ishte në arrati që prej 28 janarit 2025, pasi kishte shmangur një urdhër arresti evropian të lëshuar nga gjykata e Naples për vrasje të rënduar me motive mafioze.

Në momentin e arrestimit, Mazzarella nuk bëri rezistencë.

Autoritetet sekuestruan rreth 20 mijë euro cash, tre ora luksoze, telefona celularë dhe dokumente identiteti të falsifikuara, si dhe shënime të shkruara me dorë që dyshohet se lidhen me financat e klanit, përcjell Euronews.

Ai renditej i katërti në listën e personave më të kërkuar në Itali. Me arrestimin e tij, lista e të ashtuquajturve “super të arratisur” në vend reduktohet në tre emra: Attilio Cubeddu, Giovanni Motisi dhe Renato Cinquegranella.

Hetimet që çuan në urdhrin e arrestimit lidhen me një ngjarje të rëndë të ndodhur 24 vite më parë. Mazzarella dyshohet si porositës dhe ekzekutues i vrasjes së Antonio Maione në vitin 2000 në zonën San Giovanni a Teduccio. Viktima nuk ishte i përfshirë në aktivitete mafioze, por ishte vëllai i personit që kishte vrarë babanë e Mazzarellas, Salvatore Mazzarella, në vitin 1995.

Familja Mazzarella kontrollon një pjesë të madhe të kontrabandës dhe trafikut të drogës në Napoli dhe provincën përreth, duke ndarë ndikimin me Aleancën e Secondiglianos, si dhe është e përfshirë në pastrimin e parave përmes Milan dhe veriut të vendit.

Klani konsiderohet një nga më të fuqishmit brenda Camorras. Ai u themelua nga familja Zaza në vitet 1940 dhe më pas kaloi nën kontrollin e Mazzarellave pas lidhjeve martesore mes dy familjeve. Prej dekadash, klani është në konflikt të përgjakshëm me familjen Rinaldi, e lidhur me bosët e Secondiglianos, një përplasje që përfshin edhe vrasjet e viteve 1995 dhe 2000.

Arrestimi është përshëndetur nga autoritetet italiane si një sukses i madh në luftën kundër mafies.

Presidentja e Komisionit Antimafia, Chiara Colosimo, deklaroi se operacioni ishte “i shkëlqyer”, ndërsa nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Pina Picierno, e cilësoi atë si “një fitore të madhe për shtetin dhe një sinjal të qartë në luftën kundër mafias”.