Këshilli i Ministrave ka vendosur këtë të hënë që të japë “OK” për emërimin e Skënder Hitës si drejtues i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ai ka qenë mes 14 kandidatëve që kishin shprehur interes për të pasur Ilir Prodën dhe si rrjedhojë e rezultateve të larta, është propozuar për Kryepolic.
Newsbomb.al mëson se Skënder Hita është bërë pjesë e Policisë së Shtetit pak pas të 20-tave dhe prej dy dekadash e gjysmë vazhdon karrierën me integritet dhe profesionalizëm të lartë.
Deri në moshën 16 vjeçare ai ka jetuar në Përmet, por origjina e familjes së tij është Tepelena dhe jo qyteti i luleve. Sot, ai është 46 vjeç dhe ka arritur të ngjisë me meritë të gjitha shkallët e karrierës në Policinë e Shtetit, deri këtë të hënë kur mori besimin për të qenë Kryepolici i Shqipërisë.
25 vitet e tij nën uniformë nuk kanë qenë të lehta, deri kur drejtues të Policisë së Shtetit përgjatë viteve vendosën t’i besonin dertyra madhore, si zëvendësdrejtues dhe drejtues qarku.
Skënder Hita e tregoi vetën së pari në Dibër, kur menjëherë me emërimin e tij në krye të qarkut arriti të rikthente sigurinë me zbardhjen e ngjarjeve të vjetra kriminale, arrestimin e personave të kërkuar për ngjarje të rënda, uljen e kriminalitetit dhe kapja në kohë rekord të autorëve të grabitjes së një banke.
Për herë të parë pas shumë vitesh, Dibra po shihte rezultate sa pozitive aq edhe konkrete që ndikonin drejtpërdrejt në jetën e banorëve të qarkut verior, raporton newsbomb.al.
Me ardhjen e Muhamet Rrumbullakut në krye të Policisë së Shtetit, në Tetor 2022, Skënder Hita u transferua nga Dibra në Durrës. Një nga drejtoritë më të rëndësishme vepronte me drejtues të komanduar sepse Neritan Nallbati u transferua nga qyteti bregdetar në krye të Policisë Kriminale.

Menjëherë sapo mori detyrën, Skënder Hita inkurajoi dhe udhëzoi ekipet policore të punonin në drejtime të ndryshme dhe brenda muajit të parë të punës së tij në Durrës, u arrestuan disa shtetas të shpallur në kërkim prej vitit 2015 e 2019.
Në atë kohë, më shumë se 20 vite karrierë nën uniformë dhe drejtimi i disa operacioneve të suksesshme ia bënë më të lehtë promovimin Skënder Hitës.
Newsbomb.al raporton se më 3 Nëntor 2022, një muaj pasi kishte marrë drejtimin e Qarkut Durrës, ekipet policore të qytetit bregdetar arritën të bënin një goditje të fortë ndaj trafikut të kokainës nga Ekuadori, e cila shërbeu si model edhe për vitet e mëpasshme.
Nga veprimet e thelluara, strukturat e drejtuar prej Skënder Hitës kanë mundur të zbulojnë një sasi prej 33.5 kg kokainë të fshehur mes arkave me banane, pasi skaneri i ndodhur në ambientet e brendshme të Portit të Durrësit e nxori të pastër ngarkesën.
Ishin dyshimet e uniformave blu, të cilat kryen kontrolle të imtësishme me qen antidrogë që i çoi policët te arkat me “të bardhë”, shkruan newsbomb.al.
Operacioni i vuri vulën punës njëmujore të drejtorit Skënder Hita në krye të Qarkut të Durrësit, pasi për herë të parë Policia e qytetit bregdetar guxoi të shkonte te pronari i ZICO Sh.a, Trifon Murataj, i cili u shpall në kërkim për trafikun e kokainës nga Amerika Latine, mes ngarkesave me banane.
Edhe njëherë, ai tregoi se transferimi nga Dibra në Durrës për të vënë rend dhe siguri ishte mëse i merituar, sepse ashtu ndodhi. Një vit më pas, Skënder Hita drejtoi në qytetin bregdetar megaoperacionin policor “Tempulli” në kuadër të të cilit u goditën 23 grupe kriminale dhe u arrestuan 233 persona. Operacioni u shtri në 5 qarqe njëkohësisht.
Individë të përfshirë në aktivitet të vazhdueshëm kriminal, kryesisht trafik droge, në bashkëpunim me familjarë të punonjësve të Policisë së Shtetit u vunë në pranga, por pavarësisht kësaj operacioni nuk u dekonspirua dhe ishte i suksesshëm.
Rezultatet konkrete dhe menaxhimi i mirë i terrenit, bënë që shumë shpejt Skënder Hita të transferohej nga Durrësi në qarkun e madh të jugut, në Fier.
Përvojën e gjatë në detyrat e larta kryesisht në luftën kundër krimit, ai e tregoi edhe në Fier. Skënder Hita ndërtoi komunikim të qëndrueshëm me qytetarët, forcoi bashkëpunimin me strukturat vendore dhe riktheu besimin e publikut te policia si institucion i rendit dhe ligjit, jo i pushtetit të radhës.
Gjatë detyrës në Fier, ai arriti të menaxhonte më së miri edhe fushatën elektorale të 11 Majit, e cila në bastionin e madh socialist të jugut ishte edhe më e nxehtë për shkak të rezultateve që Partia Socialiste siguroi. Newsbomb.al raporton se drejtuesi i Policisë së qarkut ruajti një pozicion të balancuar dhe korrekt, duke dëshmuar profesionalizmin, qetësinë në vendimmarrje dhe një sens të lartë të përgjegjësisë institucionale, si në ditën e parë të marrjes së detyrës.

Skënder Hita në këto zgjedhje mbajti mbi supe akuza të shumta nga opozita, pasi drejtuesi politik i PD, Gazment Bardhi e akuzonte si ushtar të Belinda Ballukut, duke paralajmëruar se do t’i bënte padi në SPAK. Ama një fotografi e tij me Altin Dumanin, tregoi se gjërat nuk ishin kaq të thjeshta.
Çfarëdo porosie të ketë pasur drejtori i Policisë së Fierit nga Belinda Balluku, SPAK ishte një hap para denoncimeve të opozitës. Ballukun asokohe e kishte nën hetim, ndërsa drejtuesin e policisë e kishte në kafe.
Skënder Hita përfaqëson një model drejtimi bashkëkohor, punë në grup, vendimmarrje e drejtë, meritokraci dhe zero tolerancë ndaj abuzimit. Ai ka kaluar me sukses vettingun dhe gëzon mbi 90% mbështetje në radhët e Policisë, duke dëshmuar reputacion dhe reputacion të jashtëzakonshëm mes kolegëve.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Newsbomb.al
