Vendosni fjalën kyçe....

Djali i presidentit iranian paralajmëron: Rrezikojmë humbjen nëse vijojnë eliminimet e zyrtarëve të lartë



Yousef Pezeshkian, djali i presidentit të Iranit Masoud Pezeshkian, ka paralajmëruar se vendi i tij mund të përballet me humbje nëse vazhdojnë vrasjet e zyrtarëve të lartë nga Izraeli, përcjell DW.

Në një reagim publik, ai u shpreh se autoritetet iraniane nuk duhet të kishin lejuar që kundërshtari të realizonte një tjetër atentat të suksesshëm.

“Nuk duhet të kishim lejuar armikun të kryente një tjetër atentat të suksesshëm”, shkroi ai, duke shtuar se Tehrani rrezikon një disfatë nëse nuk arrin të ndalë këto eliminime.

Yousef Pezeshkian, i cili shërben si këshilltar i qeverisë, theksoi se vijimi i këtyre sulmeve do të ketë pasoja serioze për sigurinë dhe stabilitetin e vendit.

Deklaratat e tij vijnë në një moment tensioni të lartë në rajon, pas raportimeve se lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei, është vrarë në një sulm ajror më 28 shkurt.

Situata mbetet e paqëndrueshme, ndërsa përplasjet dhe zhvillimet e fundit kanë rritur frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme.