SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në GJKKO procedimin penal nr. 18/1 të vitit 2025 ndaj tre shtetasve ukrainas të akuzuar për trafikim dhe shfrytëzim personash në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Të pandehurit janë Nazar Khamuilo, i cili ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në burg”; Mark Petrenko, gjithashtu me masë “arrest në burg”; si dhe Karol Oskiera, për të cilin është caktuar masa “arrest në burg”, por e paekzekutuar. Ata akuzohen për veprat penale të “trafikimit të personave të rritur”, “grupit të strukturuar kriminal” dhe “kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale”.
Ndërkohë, prokurorët e posaçëm kanë kërkuar pushimin e akuzës për tre shtetas të tjerë të përfshirë në këtë procedim: Oleh Kulsha, Marianna Syzareva dhe Oleksander Tavorskyi.
Sipas SPAK, hetimi nisi pas një ankese elektronike të paraqitur më 11 nëntor 2024 nga Ambasada e Ukrainës në Shqipëri në Drejtorinë e Policisë Vlorë, ku dyshohej se një shtetas ukrainas mbahej dhe detyrohej të punonte kundër dëshirës së tij në qytetin e Vlorë.
Pas verifikimeve, policia zbuloi një banesë me qira në lagjen “Demokracia”, ku u gjetën disa shtetas ukrainas që punonin me laptopë në aplikacione të ndryshme. Sipas hetimeve, ata dërgonin mesazhe dhe lidhje përmes programeve automatike me qëllim rekrutimin e personave të tjerë për përpunimin, transportin dhe shitjen e lëndëve narkotike në vende të Europës Lindore.
Prokuroria thekson se grupi i vendosur në Shqipëri dyshohet se ishte pjesë e një organizate më të madhe ndërkombëtare të trafikut të drogës që operon në disa vende të ish-Bashkimit Sovjetik.
Gjatë kontrollit në vendngjarje u sekuestruan pajisje elektronike, ndërsa u konstatua se pasaportat e shumicës së personave mungonin. Hetimet zbuluan se organizatorët dhe mbikëqyrësit ushtronin presion dhe kërcënime ndaj personave të rekrutuar, duke i detyruar të punonin dhe duke u treguar video dhune ndaj anëtarëve të tjerë që nuk arrinin rezultatet e kërkuara.
Në Vlorë u zbuluan tre ambiente ku mbaheshin dhe punonin personat e rekrutuar, ndërsa në total u sekuestruan 24 pasaporta të shtetasve të huaj që dyshohet se kishin punuar për disa javë ose muaj në këto ambiente.
Sipas SPAK, viktimat rekrutoheshin përmes aplikacionit Telegram me premtimin për një punë zyre në Varshavë. Pas një interviste dhe testi poligrafi në Poloni, ata dërgoheshin në Shqipëri, ku detyroheshin të përdornin pseudonime dhe të mos përdornin emrat e tyre të vërtetë.
Nga hetimet rezultoi se Nazar Khamuilo përdorte pseudonimin “Kika”, Mark Petrenko njihej si “E Premtja”, ndërsa Karol Oskiera përdorte pseudonimin “Veterineri”.
SPAK ka falënderuar DEA në Shtetet e Bashkuara dhe autoritetet gjyqësore ukrainase për bashkëpunimin dhe mbështetjen në identifikimin e personave të përfshirë në këtë rrjet kriminal që rekrutonte dhe shfrytëzonte të rinj për aktivitet kriminal.
