
Këshilli i Mandateve do të mblidhet mesditën e sotme, në orën 12:00, për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Ky hap i hap rrugë zyrtarisht arrestimit të numrit dy të qeverisë, pas autorizimit të kërkuar nga GJKKO. Mbledhja vjen në një moment delikat, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ende nuk ka dhënë një vendim përfundimtar lidhur me pezullimin e saj nga detyra, një proces që ka shkaktuar përplasje mes pushteteve.
Situata juridike rreth Ballukut është ndërlikuar pas përpjekjeve të Kryeministrit Edi Rama për të rrëzuar vendimin e parë të GJKKO-së për pezullimin e saj.
Gjatë seancës së fundit të mbajtur në janar, qeveria argumentoi se pezullimi përbën një ndërhyrje të paprecedentë të gjyqësorit në kompetencat e ekzekutivit, duke e cilësuar atë si një “shkarkim de fakto” që pengon funksionimin e Këshillit të Ministrave. Pavarësisht këtyre pretendimeve, SPAK ka vijuar me procedurat e rënduara, duke kërkuar masën e arrestit.
Ndryshe nga pritshmëritë e mëparshme, ku Këshilli i Mandateve e kishte shtyrë vendimmarrjen për të pritur Gjykatën Kushtetuese, sot organet parlamentare duhet të vendosin nëse do të pranojnë kërkesën e prokurorëve specialë.
Akuza që rëndon mbi Ballukun është ajo e “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim. Pozita e saj është rënduar ndjeshëm, pasi hetimet janë shtrirë përtej Tunelit të Llogarasë, duke përfshirë tashmë një sërë projektesh të mëdha infrastrukturore.
Sipas dosjes së SPAK, Belinda Balluku dyshohet për abuzime në të paktën shtatë procedura të tjera prokurimi që lidhen kryesisht me Unazën e Madhe të Tiranës.
Hetimet përfshijnë segmentet rrugore nga Sheshi Shqiponja te Lumi i Tiranës dhe Bulevardi i Ri, si dhe lotet 4, 5, 6 dhe 7 të Unazës së Jashtme. Këto dyshime të reja për korrupsion galopant në projektet strategjike e kanë vendosur ministren përballë një situate kritike, ku votimi i sotëm në Këshillin e Mandateve do të përcaktojë fatin e saj përballë drejtësisë.