Vendosni fjalën kyçe....

“Grabitja shtetërore 400 milionë euro me incineratorin e faktuar me dokumente” – Kryemadhi tregon shkeljet ligjore të Ramës, Kokës e Veliajt


Grabitjen më të madhe shtetërore të faktuar me letra e ka cilësuar kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, koncesionin 30-vjeçar të incineratorëve.

Ashtu siç paralajmëroi dje, Kryemadhi doli sot në një lidhje të drejtpërdrejtë nga selia e partisë që drejton për të denoncuar atë e që quan një aferë korruptive që do u kushtojë shqiptarëve më shumë se 400 milionë euro gjatë kohëzgjatjes së saj.

Në më shumë se 60 minuta, Kryemadhi publikoi dokumentet që sipas saj tregojnë shkeljet e kryera nga kryeministri Rama e sekretari i tij Agaçi, ish-ministri i Mjedisit Koka e zyrtarë të ministrisë si dhe kryebashkiaku Veliaj në miratimin e këtij koncesioni.

Kryemadhi njoftoi se materialet e publikuara sot do shtjellohen në ditët në vijim për të sqaruar në hollësi të gjithë shkeljet e kryera nga zyrtarët e qeverisë lidhur me këtë aferë.

Në materialin e publikuar nga ajo, u tregua skema e funksionimit që nga nisja e procedurës e deri te miratimi i sa, shkeljet ligjore të kryera gjatë procedurave dhe personat përgjegjës për to. Në fund  Kryemadhi shfaqi 7 shkeljet e kryera gjatë miratimit të koncesionit dhe emrat e përfshirë në këto shkelje ligjore.

Analiza e shkeljeve

  • Ministria e Mjedisit është vetëshpallut autoritet kontraktor, por bazuar në nenin 13 të ligjit 125/2013, autoriteti kontraktor përcaktohet nga Këshilli i Ministrave. Sipas nenit 248 të Kodit Penal, shpërdorimi i detyrës dënohet deri në 7 vjet burg. Përgjegjës Lefter Koka.
  • Me deklarimin se projekti nuk ka efekte shtesë në buxhet, ministri i Mjedisit Koka ka mashtruar institucionet shtetërore. Sipas nenit 248 të Kodit Penal, shpërdorimi i detyrës dënohet deri në 7 vjet burg. Përgjegjës Lefter Koka.
  • Ministri i Mjedisit i ka akorduar bonusin prej 8% të pikëve kompanisë Integrated Energy BV pa dakordësinë e ministrit të Drejtësisë, Financave dhe atij për Marrëdhëniet me parlamentin. Sipas neneve 248 e 258 të Kodit Penal për shkelje të barazizë së pjesëmarrësve në tender, dënimi është deri në 7 vjet burg. Përgjegjës Engjëll Agaçi.
  • Ministri i Mjedisit ka zhvilluar procedurë kombëtare lidhur me këtë koncesion ndërkohë që gara duhet të ishte ndërkombëtare. Sipas neneve 248 e 258 të Kodit Penal dënimi është 3-7 vjet burg. Përgjegjës Lefter Koka e Komisioni i Dhënies së Koncesionit.
  • Ministri i Mjedisit e ka zhvilluar procedurën koncesionare pa miratimin e qarkut Tiranë. Sipas nenit 248 dënimi është deri në 7 vjet burg. Përgjegjës, Lefter Koka, Erion Veliaj e Alqi Bllako.
  • Kryebashkiaku Veliaj ka shkelur ligjin 139/2015 duke dhënë miratimin për projektin e studimit të Fizibilitetit, duke ngarkuar bashkinë e Tiranës me 1 milion euro në vitin e parë të projektit e 5.1 milionë euro në vitin e 30-të me një total prej rreth 92 milionë eurosh pa TVSH për 30 vitet e koncesionit. Sipas nenit 248 dënimi është deri në 7 vjet burg. Përgjegjës Erion Veliaj.
  • Kryebashkiaku Veliaj ka shkelur ligjin 139 duke i dhënë në përdorim kompanisë Integrated Energy BV pasurinë e paluajtshme të bashkisë Tiranë pa miratimin e Këshillit Bashkiak. Nëni 248 i Kodit Penal e dënon deri në 7 vjet burg një vepër të tillë. Përgjegjës Erion Veliaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *