
Një armene, një peruane dhe tre shqiptarë janë arrestuar në Durrës pasi akuzohen për prostitucion.
Sipas policisë, organizatorja armene kishte punësuar shtetasen peruane për prostitucion në zonën e Vollgës dhe Plazhit.
Për të hapur dyert e dy apartamenteve ku ushtrohej prostitucioni erdhën në ndihmë edhe zjarrfikësit.
Njoftimi
“Goditet një rast prostitucioni. Gjatë një operacioni në Durrës janë zbuluar dy apartamente me qira në zonën e Vollgës dhe në zonën e Plazhit që ishin kthyer në ‘fole’ prostitucioni,
Në pranga është vënë një shtetase nga Armenia, organizatore, si dhe është proceduar penalisht edhe një shtetase nga Peruja për prostitucion. Gjithashtu janë proceduar penalisht edhe 3 shqiptarë për prostitucion.
Gjatë ndërhyrjes së forcave policore, shtetaset e huaja kanë refuzuar të hapin dyert e apartamenteve, të cilat më pas u hapën me ndihmën e punonjësve të Shërbimit Zjarrfikës.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 pasaporta të shtetaseve të huaja, shuma parash, karta telefoni, bllok shënimesh etj.
Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se këto shtetase kishin marrë me qira dy apartamente, në zonën e Vollgës, lagjja nr. 1, dhe në zonën e Plazhit, lagjja nr. 13, Durrës, të cilat i kishin përshtatur për ushtrimin e prostitucionit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.”