Vendosni fjalën kyçe....

Axhenda parlamentare/ Rama: Mund të rriten orët e punës dhe seancave, të përfshihen seanca të posaçme për negociatat


Në përfundim të mbledhjes së qeverisë dhe grupit parlamentar, kryeministri Rama tha se tani axhenda do të ndahet midis nevojave të përditshme të procesit të negociatave me BE dhe jetës parlamentare e politike.

Ai theksoi se ky vit do të ketë ngarkesë të jashtëzakonshëm në Kuvend për shkak të ligjeve që do të duhet të kalojnë filtrin për procesin e negociatave.

Kjo mund të shtojë orët e punës, seancave të parlamentit dhe do të konsiderohen seancat e posaçme për procesin e negociatave.

“Ky vit që nis dhe vit i ardhshëm do të kenë një ngarkesë si asnjëherë më parë dhe si asnjëherë më pas në Kuvendin e Shqipërisë. Numri i ligjeve që do të duhet të kalojnë filtrin dhe pastaj në seancën e vendimmarrjes së Kuvendit do të jetë më i larti ndonjëherë për shkak të procesit të negociatave. Na duhet të kalojmë ligje, por na duhet të jemi sa më cilësorë në këtë proces. Kjo shton angazhimin, mundësinë e rritjes së orëve të punës dhe për të konsideruar mundësinë e rritjes së numrit të seancave të parlamentit. Nuk është i përballueshëm ky proces me këtë numër seancash dhe mbase mund të konsiderohet përfshirja në kalendar e seancave të posaçme vetëm për procesin e negociatave. Seanca që për përmbajtjen dhe natyrën e tyre nuk janë seanca që kërkojnë gjatësi orësh, por seanca që kërkojnë përqendrim dhe numër prezence.”- u shpreh Rama.