Vendosni fjalën kyçe....

Uashingtoni dhe Teherani zhvillojnë biseda telefonike të drejtpërdrejta për diplomaci


Uashingtoni dhe Teherani kanë zhvilluar disa biseda telefonike të drejtpërdrejta këtë javë, mes përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje diplomatike ndaj krizës së re të lindur pas sulmeve ajrore të Izraelit mbi objektivat iraniane, përcjell Jerusalem Post.

Sipas burimeve diplomatike, emisari special amerikan Steve Witkoff ka komunikuar disa herë me ministrin e Jashtëm iranian Abbas Araghchi që nga 13 qershori – data kur nisën sulmet izraelite në Teheran dhe rajone të tjera.

Kushti i Iranit për rikthimin në bisedime është ndalimi i bombardimeve nga Izraeli, tha një diplomat evropian, duke shtuar se “në këto kushte, është e pamundur që Teherani të pranojë publikisht një dialog me SHBA-në”.

Gjatë bisedimeve u diskutua edhe një propozim i ri amerikan që parashikon ngritjen e një konsorciumi rajonal për pasurimin e uraniumit jashtë territorit iranian – një plan që Teherani e ka refuzuar deri tani.

Nga ana tjetër, Trump ka lënë të kuptohet se është i gatshëm për negociata, por nëse Teherani nuk dorëzohet pa kushte, ai ka kërcënuar edhe me likuidimin e liderit suprem iranian, Ali Khamenei.

“Ne e dimë saktësisht ku ndodhet Khamenei,” ka deklaruar Trump për gazetarët.

Ndërkohë, mijëra iranianë po braktisin vendin drejt Azerbajxhanit, ku është hapur një “korridor humanitar” në kufirin juglindor të këtij vendi.