
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku thotë se qeveria nuk mund të përdorë më natyrën, si alibi për përmbytjet në vend.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Tabaku shprehet se qeveria ka akorduar më pak se 1% të buxhetit për kanalizime dhe ujitje. Sipas saj, fondi për Emergjencat Civile është më i vogël se sa tri kontrata inceneratorësh.
Tabaku shtoi se dëmet ekonomike kapin vlerën e 2 miliardë dollarëve, por në 4 vite, qeveria ka dhënë vetëm 140 milionë euro për emergjenca.
Ndër të tjera, deputetja demokrate deklaroi se qeveria punon për pakicën dhe faturën e paguan shumica.
Postimi i Jorida Tabakut
Natyra si alibi e palezetshme
Shqiptarët, çdo vit, në verë dhe në dimër, dëgjojnë të njëjtën kasetë: “natyra e pabesë”. Shqipëria ose shkrumbohet, ose përmbytet.
Por natyra nuk mund të jetë më alibi, kur qeveria ka buxhetuar më pak se 1% të buxhetit për kanalizime dhe ujitje, dhe kur fondi për Emergjencat Civile është më i vogël se sa tri kontrata inceneratorësh.
Një shtet i përgjegjshëm nuk është ai që shfaqet pasi bie zjarri apo vërshon uji për të bërë “adetin”. Kur lexon deklaratat “bujare” të qeverisë pas fatkeqësisë, përballë dorështrëngimit kriminal për të parandaluar, kupton thelbin e këtij sistemi: nuk është ngritur për qytetarët, por për klientët.
Sipas vetë të dhënave të Emergjencave Civile, dëmet ekonomike nga fatkeqësitë kapin vlerën e 2 miliardë dollarëve. Ndërkohë, qeveria në katër vite ka dhënë vetëm 140 milionë euro për emergjenca. Paratë nuk shkojnë për kanale e kolektorë, por për fantazma luksi që nuk i interesojnë askujt përveç cirkut qeveritar.
Skenat me qeveritarë që zbresin në terren me çizme llastiku pasi gjithçka është shkatërruar, nuk janë arritje. Janë dëshmi dështimi. Nuk është sukses të shkosh aty ku nuk mban më uji.
Është tragjikomike: një qeveri që premton Inteligjencë Artificiale për prokurimet, që përdor “Diellën” për propagandë digjitale, kapet gjithmonë e papërgatitur nga një shi që çdo qytetar e sheh në telefonin e tij. Silleni fiks si një student ngelës që sajon barcaleta për të fshehur paaftësinë.
Sot janë mijëra hektarë tokë, prona dhe jetë të shkatërruara. Nesër do të jenë sërish. Sepse ky sistem punon për pakicën, dhe faturën e paguan shumica: me xhepin, pronën dhe të ardhmen e saj.