Vendosni fjalën kyçe....

51 kg kanabis të sekuestruara në operacionin antidrogë, një i arrestuar dhe tre në kërkim



Policia ka finalizuar operacionin antidrogë të koduar “Black Scale”, duke sekuestruar 51 kilogramë e 25 gramë lëndë narkotike Cannabis Sativa, të ndara në 48 pako, të destinuara për trafikim drejt Greqisë.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi N. P., 30 vjeç, banues në fshatin Rusan, Delvinë, ndërsa u shpallën në kërkim tre shtetas të tjerë, të dyshuar si bashkëpunëtorë: E. P., 38 vjeç (vëllai i të arrestuarit), D. C., 41 vjeç, banues në Sarandë dhe Sh. A., 30 vjeç, banues në Tepelenë.

30-vjeçari u kap në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë”, duke transportuar lëndën narkotike me automjet tip “Nissan”. Sasia e drogës ishte fshehur në një hapësirë të improvizuar në shasinë e automjetit.

Sipas policisë, nga hetimet dyshohet se tre shtetasit e shpallur në kërkim kanë bashkëpunuar me të arrestuarin, në role organizatori dhe ndihmësi, për realizimin e kësaj veprimtarie kriminale.

Lënda narkotike, automjeti dhe tre celularë u sekuestruan si prova materiale. Vijojnë hetimet për kapjen e personave në kërkim dhe dokumentimin e plotë të përgjegjësive penale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.