
Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, gjatë fjalës së tij në protestën kombëtare, falënderoi qytetarët për praninë dhe mbështetjen, duke e cilësuar atë si shpresë për ndryshimin në Shqipëri.
Bardhi deklaroi se protesta është për dinjitetin dhe të ardhmen e vendit, duke akuzuar qeverinë për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Ai e cilësoi Edi Ramën si “kryeministrin më të korruptuar” dhe theksoi se, sipas tij, koha e kësaj qeverie ka marrë fund, ndërsa opozita nuk do të heshtë përballë korrupsionit.
“Ju falënderoj sepse forca juaj është kthyer në shpresën tonë. Në shpresën e Shqipërisë, ju falënderoj për besimin që i jepni PD , në këtë kohë të sundimit të koleres e korrupsionit.
Prania juaj sonte do të thotë se kjo shoqëri ka ende guxim dhe e do ndryshimin. Nga ju në këtë shesh kam mësuar se sakrificat dhe besimi do të na çojnë përpara me besim për largimin e Ramës, Kryeministri më i korruptuar në Europë dhe botë.
Kjo protestë është për dinjitetin tonë të përbashkët dhe të ardhmen që nuk ia falim Ramës. Ne jemi këtu sepse korrupsioni po i merr frymën Shqipërisë.
Kartelet e drogës bashkë me qeverinë e tyre po vjedhin….Rama, Balluku, banda kriminale që qëndrojnë pas tyre duan që ne të heshtim. Bashkë me çetën e tyre të megahajdutëve, ne do u themi se ata e kanë gabim. U themi hajdutëve dhe kriminelëve të qeverisë së koha e tyre ka mbaruar”, tha ai.