Vendosni fjalën kyçe....

Transportonte 5 emigrantë të paligjshëm, arrestohet gardisti në Pogradec


Policia ka goditur dy raste të transportit të emigrantëve të paligjshëm brenda territorit të Shqipërisë.

Në një rast policia ka arrestuar edhe një punonjës të Gardës i cili u kap së bashku me një shtetas tjetër duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm.

Strukturat e Sektorit për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, Policinë Kufitare dhe Policinë Rrugore, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve D. K., 50 vjeç, banues në Tiranë (me detyrë punonjës i Gardës së Republikës) dhe A. M., 59 vjeç, banues në Durrës.

Shërbimet e Policisë, kanë konstatuar në aksin rrugor Pogradec-Prrenjas, në dalje të qytetit të Pogradecit, mjetin tip “Chevrolet”, me drejtues shtetasin D. K. dhe pasagjer shtetasin A. M., me të cilin këta shtetas po transportonin 5 emigrantë të paligjshëm, që kundrejt shpërblimit iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së”-njofton policia.

Në një rast tjetër, policia nuk ka mundur të arrestojë drejtuesin e fugonit me të cilin po transportoheshin 40 emigrantë të paligjshëm.

Gjithashtu nga shërbimet e Policisë Rrugore, në aksin Korçë-Ersekë, u konstatua mjeti tip furgon i markës “Iveco”, drejtuesit së të cilit, punonjësit e policisë i bënë me shenjë të ndalonte, por ai nuk iu bind urdhrit të tyre duke u larguar me shpejtësi e braktisur mjetin në afërsi të fshatit Drenovë, Korçë. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet, u konstatuan 40 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt shpërblimit iu ishte premtuar kalimi drejt vendeve të BE-së.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, bënë shpalljen në kërkim dhe po punojnë për kapjen e shtetasit A. C., 35 vjeç, si autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje”-thuhet në njoftim.