Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania akuzon Rusinë për sulm kibernetik në 2024 dhe ndërhyrje në zgjedhje


Gjermania ka akuzuar Rusinë për një sulm kibernetik ndaj kontrollit të trafikut ajror dhe përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet federale, duke thirrur në ministëri ambasadorin rus në Berlin.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane deklaroi se inteligjenca ushtarake ruse ishte përgjegjëse për “një sulm kibernetik ndaj kontrollit të trafikut ajror gjerman në gusht 2024”.

Ai shtoi se Rusia kishte tentuar të ndikonte dhe destabilizonte zgjedhjet e shkurtit 2025 përmes një fushate të koordinuar dezinformimi, përcjell BBC.

Sipas tij, Gjermania, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët evropianë, do të përgjigjet me kundërmasa për t’i bërë Rusisë “të paguajë një çmim për veprimet e saj hibride”.

Nga pala ruse nuk ka patur një reagim të menjëhershëm.

 

Fushata e dyshuar ruse e dezinformimit

Zëdhënësi theksoi se sulmi i gushtit 2024 i atribuohet grupit të njohur rus të hakerëve Fancy Bear.

“Gjetjet tona të inteligjencës vërtetojnë se shërbimi i inteligjencës ushtarake ruse GRU mban përgjegjësi për këtë sulm”, u shpreh ai.

Ai shtoi se është tashmë e sigurt se Moska ka tentuar të “ndikojë dhe destabilizojë zgjedhjet e fundit federale dhe çështjet e brendshme të Gjermanisë” përmes një fushate dezinformimi të quajtur Storm 1516.

Kjo fushatë ishte fokusuar, pjesërisht, te kandidati kryesor i të Gjelbërve, Robert Habeck, dhe te kandidati kryesor i CDU-së, Friedrich Merz, i cili sot është kancelar.

Qeveria gjermane tha se agjencitë e sigurisë identifikuan disa video të rreme që pretendonin manipulime votash, të shpërndara pak ditë para zgjedhjeve si pjesë e përpjekjeve ruse.

 

Fancy Bear dhe shqetësimet në rritje në Evropë

Grupi Fancy Bear dyshohet se ka publikuar më herët të dhëna të Agjencisë Botërore Antidoping dhe sipas ekspertëve të sigurisë ka luajtur rol kyç në sulmin kibernetik të vitit 2016 ndaj Komitetit Kombëtar Demokratik në SHBA.

Akuzat e reja vijnë në një kohë kur shqetësimet në Evropë për sulme të mundshme kibernetike ruse janë rritur ndjeshëm, veçanërisht që prej fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Moskë ka mohuar më parë akuzat evropiane për sabotim apo fushata hibride, ndërsa ende nuk ka reaguar ndaj akuzave të fundit nga Berlini.