Vendosni fjalën kyçe....

Universiteti që po vdes dhe shkolla që s’di të rilindë


Nga Olsi Bakalli

Nëse dikur diploma universitare shihej si pasaporta magjike për t’u futur në botën e punës, sot ajo ngjan më shumë me një relike muzeale që mbahet në kornizë për arsye nostalgjie.

Inteligjenca artificiale ka hapur një epokë ku vlera e informacionit nuk matet më me numrin e krediteve të mbledhura në fakultet, por me shpejtësinë dhe mënyrën se si arrin ta përdorësh atë informacion.

Kush ka nevojë të dëgjojë një pedagog që përsërit për të njëqindtën herë teorinë e Keynes-it, kur një sistem AI mund ta shpjegojë me shembuj praktikë, vizualizime dinamike dhe përkthim në çdo gjuhë me një klik?

Pyetja e hidhur është kjo: çfarë do të mbetet nga universiteti si institucion, përveç tarifave të kripura, burokracisë akademike dhe kartonit të diplomës që shërben më shumë si kujtim familjar sesa si garanci pune?

E ardhmja duket se po na çon drejt një tregu ku aftësia për të mësuar shpejt, për të filtruar informacionin dhe për të bërë pyetjet e duhura do të vlejë shumë më tepër sesa katër vite të humbura në auditore që imitojnë shekullin e kaluar.

Ndoshta brenda dhjetë viteve diploma bachelor do të ketë të njëjtën peshë si një certifikatë kursi online: një dokument që tregon se ke kaluar disa orë duke mësuar diçka, por jo domosdoshmërisht që zotëron kapacitetin për ta përdorur atë dije në mënyrë krijuese.

Dhe pikërisht këtu lind paradoksi: nëse universiteti po shembet si kështjellë e monopolizuar e dijes, shkolla parauniversitare duhet shpikur nga e para. Sepse në një botë ku informacioni është i lirë, çështja nuk është më çfarë di, por si e përdor atë.

Në këtë realitet të ri, shkolla duhet të kthehet në laborator pyetjesh e jo në fabrikë përgjigjesh.

Sot, çdo fëmijë me një telefon inteligjent ka akses në më shumë dije sesa gjithë akademikët dhe nobelistwt të marrë së bashku. Por, çfarë vlere ka kjo dije nëse nuk di ta përdorësh?

Nëse e gëlltit të papërtypur, pa filtruar, pa dyshuar? Nxënësit nuk kanë nevojë të mësojnë përmendësh lista të pafundme datash dhe formulash, por të bëjnë pyetjen e duhur: pse, si, çfarë ndodh nëse?

Mësuesi nuk duhet të jetë më orakulli i së vërtetës, por dirigjenti i një procesi kërkimi ku nxënësi teston, dyshon dhe eksperimenton.

Filtrimi i informacionit është aftësia jetike e shekullit të AI. Në oqeanin e pafund të të dhënave, çdo klik mund të të çojë drejt njohurisë së saktë ose drejt një iluzioni mashtrues.

Vetëm një mendje e stërvitur për të dalluar argumentin nga propaganda, faktin nga opinioni, shkencën nga pseudoshkenca, ka shansin të mbijetojë në këtë realitet të ri. Pikërisht për këtë arsye nuk mund të humbasë rëndësia e bazave klasike.

Nëse fëmijët nuk mësojnë të shkruajnë mirë, të lexojnë letërsi, të njohin strukturën e gjuhës, atëherë AI do t’u japë gjithnjë përgjigje të bukura, por ata nuk do dinë t’i lexojnë, as t’i kuptojnw.

Një shkrim i qartë është një mendim i qartë. Një tekst letrar është një fushë ushtrimi për imagjinatën. Dhe imagjinata është arma e vetme që të mbron nga shndërrimi në makineri.

Matematika, po ashtu, nuk është thjesht një listë formulash, por gjuha e logjikës, e rendit, e strukturës së mendimit. Kush nuk di të mendojë matematikisht, do të përmbytet nga iluzionet numerike që AI gjeneron pa fund.

Fizika, kimia, biologjia nuk duhen mësuar për provim, por për të kuptuar realitetin material që na rrethon. Pa këtë themel, çdo përballje me botën është një lojë e rrezikshme me mite dhe iluzione. Dhe pastaj, filozofia.

E shpallur e vdekur sa herë që shfaqet një teknologji e re, por gjithmonë e nevojshme. Sepse vetëm filozofia të mëson të bësh pyetje që as AI nuk mund t’i përgjigjet: çfarë është e drejta, çfarë është e bukura, çfatw wshtw lumturia, çfarë kuptimi ka jeta.

Një shoqëri që heq dorë nga filozofia për hir të efikasitetit teknologjik është një shoqëri që heq dorë nga vetvetja.

Nga ana tjetër, arti dhe muzika mbeten mbrojtja e fundit e njeriut.

Nëse AI mund të kompozojë simfoni dhe të pikturojë tablo që imitojnë mjeshtrat, kjo nuk e zëvendëson dot përvojën e një violinisti që dridhet në dorën e një nxënësi, një fyelli që pëshpërit melodi të malit, një çifteli që rënkon në odë, apo për një polifoni labe që shpërthen nga gjokset e njerëzve – këto nuk i riprodhon asnjë algoritëm, sepse janë tinguj të mishit dhe të shpirtit, aty ka emocion, gabim, përpjekje – gjëra që asnjë algoritëm nuk mund t’i riprodhojë. Sporti, në anën tjetër, është territori ku AI nuk mund të hyjë.

Askush nuk kënaqet duke parë një robot që shënon gola. Është djersa, sakrifica dhe rivaliteti i gjallë që i japin kuptim sportit.

Dhe pikërisht sepse bota jonë po bëhet gjithnjë e më virtuale, sporti duhet të bëhet më i pranishëm në shkollë: jo vetëm si aktivitet fizik, por si mësim për këmbënguljen, bashkëpunimin dhe kufijtë realë të trupit.

Çfarë do të ndodhë pra me universitetin?

Ka dy mundësi. Ose do të degradojë në një muze të ngjashëm me bibliotekat ku shkon vetëm për nostalgji dhe foto në Instagram. Ose do të shpikë veten nga e para si laborator kërkimi, jo i dijes që tashmë e kemi online, por i mendimit të thellë, i bashkëpunimit dhe i risisë.

Nëse universitetet nuk pranojnë këtë transformim, do të shndërrohen në kështjella bosh ku diploma ka vlerë vetëm për prindërit që duan ta shohin fëmijën “me shkollë”. Por një gjë është e qartë: nuk do të jetë më një domosdoshmëri për tregun e punës.

Sepse tregu do të kërkojë mendje elastike, kureshtare dhe të afta të punojnë me teknologji që ndryshojnë çdo ditë, jo njerëz që dinë përmendësh librat e një kurrikule të vitit 1980.

A do të arrijë sistemi arsimor të përshtatet, apo do të vazhdojë të prodhojë diploma të kota ndërsa bota punon me AI?

A do të kuptojmë se shkolla duhet të ushqejë imagjinatën, mendimin kritik dhe aftësitë bazë, apo do t’i braktisim fëmijët në duart e algoritmeve që dinë gjithçka, por nuk kuptojnë asgjë?

Dhe më në fund: a jemi gati të pranojmë se epoka e monopolizimit të dijes nga universiteti ka marrë fund dhe se e vetmja rrugë drejt të ardhmes është një shkollë që mëson të pyesë, jo thjesht të përgjigjet?

Sepse, në fund të fundit, inteligjenca artificiale mund të jetë më e mençur se çdo profesor, por nuk do të mundet kurrë të ketë atë që e bën njeriun njeri: aftësinë për të dyshuar, për të ëndërruar dhe për të krijuar kuptime atje ku shkenca hesht.

Dhe kjo është arsyeja pse, edhe në epokën e AI, nuk do të ketë kurrë një klikim të mjaftueshëm për të zëvendësuar pyetjen e duhur.