Vendosni fjalën kyçe....

Rubio pas takimit me delegacionin ukrainas: Ka progres, por mbetet shumë punë për të bërë



Delegacioni ukrainas u takua të dielën në Miami me zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara, në kuadër të përgatitjeve për bisedimet e planifikuara këtë javë mes SHBA-së dhe Rusisë, ku pritet të marrë pjesë edhe presidenti rus Vladimir Putin. Pas katër orësh diskutimesh, përfaqësuesit e të dyja palëve dolën nga salla e takimit, ku ishte shqyrtuar plani amerikan për paqen dhe mundësitë për ta rishikuar atë, përcjell Euronews.

Plani fillestar prej 28 pikash ishte kritikuar gjerësisht për favorizimin e kërkesave ruse, duke përfshirë kufizimin e madhësisë së ushtrisë së Ukrainës, ndalimin e anëtarësimit në NATO dhe mbajtjen e zgjedhjeve brenda 100 ditësh. Sipas mediave lokale, diplomatët diskutuan afatet zgjedhore dhe mundësinë e shkëmbimit të territoreve, megjithatë detaje të tjera nuk u bënë publike.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e vlerësoi takimin si produktiv, por theksoi se ende mbetet shumë punë për t’u bërë për të arritur një marrëveshje përfundimtare. “Nuk është vetëm çështje e kushteve që ndalin luftimet,” tha Rubio. “Bëhet fjalë edhe për kushtet që i krijojnë Ukrainës perspektivë afatgjatë për stabilitet dhe prosperitet.”

Kreu i Këshillit të Sigurisë së Ukrainës, Rustem Umerov, falënderoi SHBA-në për mbështetjen e vazhdueshme. “SHBA po na dëgjon, po na mbështet dhe po punon krah nesh,” u shpreh ai, duke theksuar se bisedimet kishin për qëllim sigurimin e garancive të forta të sigurisë për Ukrainën. “Qëllimi ynë është një Ukrainë e fortë dhe e begatë,” tha Umerov.

Takimet me SHBA-në zhvillohen në një moment kritik për Ukrainën, ndërsa vendi vazhdon të përballet me ofensivën ruse dhe njëkohësisht me një skandal të brendshëm korrupsioni. Të premten, presidenti Volodymyr Zelenskyy njoftoi dorëheqjen e shefit të tij të fuqishëm të kabinetit, Andrii Yermak, pasi shtëpia e tij u kontrollua nga hetuesit kundër korrupsionit. Yermak kishte qenë negociatori kryesor i Ukrainës deri në këtë javë.

Më vonë gjatë javës, Rubio dhe ndoshta i dërguari special Steve Witkoff pritet të udhëtojnë drejt Moskës për të zhvilluar bisedime me zyrtarët rusë, përfshirë presidentin Vladimir Putin, në përpjekje për të çuar përpara procesin e arritjes së një marrëveshjeje paqeje.