Vendosni fjalën kyçe....

Protesta e PD-së para Kryeministrisë, blindohet zona – Berisha: Duam dorëheqjen e Ramës dhe Ballukut


Partia Demokratike pritet të nisë sot protestën e saj përballë Kryeministrisë, duke marrë një leje dyorëshe nga ora 18:00 deri në 20:00.

Protesta është thirrur pas marrjes së statusit të pandehur të zv.kryeministres Belinda Balluku, por demokratët theksojnë se ka edhe motiv të gjerë: ngushtimi i hapësirave për debat në Kuvend dhe nevoja për një foltore paralele ku qytetarët të diskutojnë çështje të refuzuara në parlament.

Sali Berisha do të dalë nga selia e PD-së për t’u bashkuar me pjesëmarrësit. Ai u shpreh se kërkesa e vetme e protestës është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e zv.kryeministres Balluku, duke e cilësuar këtë hap si fillimin drejt krijimit të një qeverie teknike.

Berisha theksoi gjithashtu se protesta nuk ka lidhje me thirrjen e tij në SPAK për 21 janarin.

Policia ka marrë masa të forta sigurie. Godina e Kryeministrisë është blinduar, ndërsa qarkullimi në rrugët që të çojnë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit është kufizuar.

Përballë kryeministrisë është vendosur një podium i vogël, ku pritet të mbajnë fjalime figura të politikës dhe qytetarë të thjeshtë. Demokratët planifikojnë që foltorja të funksionojë një herë në javë, si një forum i hapur për diskutim mbi çështjet e refuzuara në Kuvend.

Qytetarët janë thirrur të marrin pjesë nga e gjithë Shqipëria, duke shënuar këtë si protestën e parë përballë zyrës së Ramës pas humbjes së zgjedhjeve më 11 maj. Demokratët e paraqesin këtë si një hap për të krijuar një hapësirë alternative diskutimi publik, jashtë strukturave parlamentare.