
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas zhvillimeve që përfshijnë zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila u paraqit të premten në SPAK, ku u njoh me akuzat dhe është tashmë person nën hetim.
Në një postim në rrjetet sociale, Berisha akuzoi drejtuesit dhe anëtarët e Partisë Socialiste se menjëherë pas kësaj, kanë nisur të “fshijnë gjurmët dixhitale” që i lidhnin me ministren. Sipas tij, socialistët kanë hequr postime, pëlqime dhe komente nga rrjetet sociale për të shmangur çdo lidhje me Ballukun.
“E premtja e zezë do të mbahet mend si dita e ekzekutimit dixhital publik të parë, jo vetëm në historinë e partisë-shtet të Ramës, por edhe në Europën e epokës dixhitale”, shkruan Berisha. Ai shtoi se “delubifikimi” i rrjeteve sociale nisi para se, sipas tij, kryeministri Edi Rama të jepte urdhrin për “ekzekutimin dixhital” të ministres.
SPAK nuk ka dhënë ende detaje mbi çështjen konkrete për të cilën po hetohet Balluku, por hetimi vjen në kuadër të dosjeve që lidhen me tenderat dhe koncesionet në sektorin e infrastrukturës.