
Kabineti qeveritar i propozuar nga Albin Kurti sot në Kuvend nuk arriti të marrë 61 votat e nevojshme për t’u miratuar. Nga votimi, 56 deputetë votuan pro, 52 kundër dhe 4 abstenime. Përveç deputetëve të LVV-së, 8 deputetë të Grupit Parlamentar Multietnik votuan pro kabinetit, ndërsa Fatmir Limaj, Arbëreshë Krasniqi, Xhevahire Izmaku dhe Veton Berisha abstenuan.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, deklaroi:
“Konstatoj se me 56 vota pro dhe 52 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi nuk e zgjodhi Qeverinë e Republikës së Kosovës. Iu njoftoj se përgjegjësia kalon te presidentja Osmani, e cila pas konsultimeve ka mundësi të emërojë kandidatin tjetër për kryeministër.”
Sipas Kushtetutës, presidentja Vjosa Osmani brenda 10 ditësh duhet të ftojë partitë për konsultime për të zgjedhur mandatarin e ri që ka shanset më të mëdha për të formuar qeverinë. Nëse edhe përpjekja e radhës dështon, Osmani do të shpallë zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh.
Në fjalimin e tij në Kuvend, Albin Kurti tha se asnjë parti parlamentare nuk ka pranuar marrëveshje për bashkëqeverisje, por shtoi se është e nevojshme të ecet për të mirën e vendit:
“Pa votimin e qeverisë së re, Republika rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja.”
Ndërkohë, PDK-ja, forca e dytë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, përmes kryetarit Memli Krasniqi, la të kuptohet se nuk do të mbështesë kabinetin e propozuar nga LVV-ja, duke hapur sfidën për një proces të ri konsultimesh dhe mundësinë e një qeverie të re ose zgjedhjesh të parakohshme.