
Kremlini deklaroi se presidenti rus Vladimir Putin dhe i dërguari amerikan Steve Witkoff zhvilluan një takim “konstruktiv” në Moskë, ndërsa afron afati i vendosur nga presidenti amerikan Donald Trump për një armëpushim në Ukrainë.
Ndihmësi për politikën e jashtme i Putinit, Yuri Ushakov, tha se gjatë takimit treorësh, Putini i dha Witkoff “sinjale” për atë që ai e quajti “çështja ukrainase” dhe mori “sinjale përkatëse” nga pala amerikane. Ushakov shtoi se më shumë detaje për bisedimet do të ndahen pasi Witkoff t’i raportojë Trump-it, përcjell BBC.
Presidenti Trump ka paralajmëruar se nëse Rusia nuk ndërmerr hapa për t’i dhënë fund asaj që ai e quan “luftë e tmerrshme”, ajo do të përballet me sanksione të rënda ose me masa dytësore kundër vendeve që tregtojnë me të.
Nga pala amerikane dhe Ukraina nuk ka ende ndonjë reagim për takimin.
Para takimit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Rusia do të marrë seriozisht paqen vetëm kur t’i mbarojnë fondet. Ai përshëndeti kërcënimet për sanksione të reja nga SHBA dhe tarifat mbi vendet që blejnë naftë ruse.
Pamjet e publikuara nga mediat ruse treguan Putinin dhe Witkoff duke buzëqeshur e shtrënguar duart në një sallë të artë në Kremlin. Dyshja është takuar edhe më parë.
Megjithatë, pritshmëritë për një marrëveshje deri të premten janë të ulëta, pasi Rusia ka vazhduar sulmet ajrore në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës, pavarësisht kërcënimeve të Trump.
Para marrjes së detyrës në janar, Trump kishte pretenduar se do të mund ta ndalte luftën brenda një dite
Ai dështoi dhe së fundmi ka shfaqur zhgënjim për mungesën e përparimit, duke ashpërsuar retorikën ndaj Moskës.
“Ne menduam se e kishim mbyllur disa herë, dhe pastaj presidenti Putin fillon sërish duke hedhur raketa në ndonjë qytet si Kievi dhe vret shumë njerëz në ndonjë azil pleqsh apo diçka e tillë,” tha Trump muajin e kaluar.
Tre raunde negociatash mes Ukrainës dhe Rusisë në Stamboll nuk sollën përparim, tre vjet e gjysmë pas nisjes së agresionit të plotë të Moskës.
Kërkesat ushtarake dhe politike të Rusisë për paqe vazhdojnë të jenë të papranueshme për Kievin dhe Perëndimin. Kremlini ka refuzuar gjithashtu takimin e kërkuar nga Zelensky me Putinin.
Ndërkohë, SHBA miratoi një paketë shtesë prej 200 milionë dollarësh për shitje ushtarake drejt Ukrainës pas një telefonate mes Trump dhe Zelenskyt, ku u diskutua edhe bashkëpunimi në mbrojtje dhe prodhimi i dronëve.
Ukraina po përdor dronë për të goditur rafineritë dhe infrastrukturën energjetike ruse, ndërsa Moska ka përqendruar sulmet ajrore mbi qytetet ukrainase.
Administrata Ushtarake e Qytetit të Kievit njoftoi se bilanci i një sulmi ajror të javës së kaluar arriti në 32 të vdekur, pasi një burrë ndërroi jetë nga plagët. Ky ishte sulmi më i rëndë ndaj kryeqytetit që nga fillimi i luftës.
Po ashtu, autoritetet ukrainase raportuan të mërkurën se një sulm rus në një kamp pushimi në rajonin qendror të Zaporizhias la të vdekur dy persona dhe plagosi 12 të tjerë.
“Nuk ka asnjë kuptim ushtarak në këtë sulm. Është thjesht mizori për të frikësuar njerëzit”, tha presidenti Zelensky.