
Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka publikuar sot një video që, sipas tij, dëshmon shkelje flagrante të ligjit zgjedhor në një qendër votimi në Fier, ku vëzhgues të Partisë Socialiste pretendohet se kanë votuar në vend të qytetarëve.
Pamjet janë regjistruar në qendrën e votimit nr. 3153/1, në Njësinë Administrative Dërmenas, Bashkia Fier.
Në postimin e tij në rrjetet sociale, Bardhi shkruan: “Votim i kontrolluar = farsë elektorale. Shkelja e fshehtësisë së votimit është krim sipas nenit 327 të Kodit Penal dhe dënohet me deri në 3 vite burgim”.
Sipas tij, në vetëm katër orë regjistrim rezulton se shumica e qytetarëve nuk kanë votuar vetë, por në emër të tyre kanë votuar vëzhgues të PS-së.
“Në shumicë dërrmuese nuk kanë votuar qytetarët në mënyrë të lirë dhe të fshehtë, por vëzhguesit e PS në emër të tyre”, deklaron Bardhi.
Ai akuzon se kamerat e sigurisë në qendër janë fikur më pas nga patronazhistët për të shmangur çdo provë të mëtejshme. “Sepse më pas patronazhistët i fikin kamerat e QV nr. 3153/1,” shkruan Bardhi.
Deputeti demokrat akuzon drejtpërdrejt edhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke thënë: “Belinda Balluku kishte dhënë garanci që krimi i tyre nuk do të ndëshkohej, sepse Task Forca ishte alibi, jo mekanizëm për ndëshkimin e krimeve zgjedhore!”
Duke e konsideruar procesin zgjedhor të 11 majit si një manipulim të hapur, Bardhi paralajmëroi se opozita do të ndjekë çdo rrugë ligjore për të çuar para drejtësisë përgjegjësit e kësaj që ai e cilëson si “farsë elektorale”.
Postimi i plotë:
VOTIM I KONTROLLUAR = FARSË ELEKTORALE
Shkelja e fshehtësisë së votimit është krim sipas nenit 327 të Kodit Penal që dënohet me 3 vjet burgim. Por në zgjedhjet e 11 Majit në qarkun Fier ajo ishte forma kriminale që patronazhistët të kontrollonin çdo votë që hidhet në kuti. Belinda Balluku kishte dhënë garanci që krimi i tyre nuk do të ndëshkohej, sepse Task Forca ishte alibi, jo mekanizëm për ndëshkimin e krimeve zgjedhore!
Në vetëm 4 orë regjistrim, sepse më pas patronazhistët i fikin kamerat e QV nr. 3153/1, rezulton se në shumicë dërrmuese nuk kanë votuar qytetarët, në mënyrë të lirë dhe të fshehtë, por vëzhguesit e PS në emër të tyre.
QV 3153/1, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier