
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian njoftoi të mërkurën se ka miratuar ligjin që pezullon bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), një veprim që shihet gjerësisht si hakmarrje e Teheranit për sulmet ajrore izraelite dhe amerikane mbi objektet e saj bërthamore.
Projektligji u miratua nga parlamenti i Iranit të mërkurën e kaluar, vetëm një ditë pasi armëpushimi me Izraelin hyri në fuqi. Ndërsa fushëveprimi i pezullimit mbetet i paqartë, duke përfshirë nëse inspektorët e IAEA-s do dëbohen nga Irani, mbështetja publike e Pezeshkian sugjeron se ligji do zbatohet, shkruan Ynet.
Sipas sistemit ligjor të Iranit, zbatimi i ligjit është nën varësinë e Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, të cilin Pezeshkian e drejton vetë, megjithëse fuqia e tij për të zbatuar ligjin është e kufizuar.
Teherani ka akuzuar IAEA-n se i ka dhënë Izraelit një pretekst për të nisur operacionin “Rising Lion” i cili filloi një ditë pasi Bordi i Guvernatorëve të agjencisë lëshoi një rezolutë historike duke akuzuar Iranin për shkelje të angazhimeve të tij sipas Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore (NPT).