Vendosni fjalën kyçe....

Kush është 25-vjeçari që u vra në sulmin terrorist në Urën e Londrës


“Një shpirt i bukur”– kështu e përshkroi David Merritt djalin e tij 25-vjeçar Jack, i cili u qëllua për vdekje me thikë, në Urën e Londrës.

Një grua humbi jetën gjithashtu nga sulmi, por identiteti i saj ende nuk është bërë i ditur. Ndërsa tre të tjerë mbetën të plagosur, shkruan BBC.

Jack Merritt ishte i diplomuar për  drejtësi dhe kriminologji dhe ishte një nga koordinatorët e kursit për programin e rehabilitimit të të burgosurve në Universitetin e Kembrixhit.


Projekti “Të mësojmë së bashku” u jep studentëve dhe të burgosurve mundësinë për të studiuar së bashku, për të ndihmuar në uljen shkeljeve të ligjit.  Diçka për të cilën Merritt ishte shumë i angazhuar, sipas njerëzve që kanë punuar me të.

Emilee Hopper, e cila tha se kishte qenë mike me Merritt në shkollë, e përshkroi atë si “një nga njerëzit më të mirë që kam hasur dhe një shpirt i bukur”.

Daisy Knock tha që Merritt ishte “shumë i mirë për këtë botë. Ai punoi për dhe besoi në diçka, kjo do të ndryshojë një ditë mënyrën se si e shohim botën”.

Një mik tjetër tha që i diplomuari në Universitetin e Mançesterit dhe atë të Kembrixhit ishte “jashtëzakonisht i mençur dhe inteligjent, me më shumë etje për jetën sesa shumë të tjerë të moshës sonë dhe me një vendosmëri për të lënë shenjën e tij në botë”.

Reperi David Orobosa Omoregie, i njohur thjesht si Dave, gjithashtu ka reaguar për vrasjen e Merritt, duke e konsideruar atë si djalin më të mirë që ka njohur.

Albumi i tij “Psychodrama” që i dhuroi çmimin “Mercury”, ishte i frymëzuar nga terapia rehabilituese që vëllai i tij Christopher Omoregie ka marrë, ndërsa vuante një dënim të përjetshëm për vrasje.

Reperi tha që Merritt “ia kishte kushtuar jetën e tij ndihmës për të tjerët” dhe shtoi se për të ishte një nder të njihte dikë si ai.

Dave shtoi: “Nuk do ta harroj kurrë çfarë ke bërë për ne”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *