
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, vizitoi sot shkollën 9-vjeçare “Mihal Grameno” në Tiranë, ku ndoqi nga afër një orë mësimi në laboratorët inteligjentë të pajisur me teknologji bashkëkohore. Ajo vlerësoi projektet novatore të nxënësve dhe njoftoi zgjerimin e rrjetit të smartlabs në të gjithë vendin.
“Vitin e ardhshëm do të organizojmë Festivalin e Shkencës dhe jam e bindur që edhe këto produkte që ju keni krijuar mund të prezantohen atje si produkte novatore. Do të keni edhe më shumë mbështetje për të gjithë ju që keni prirje dhe talente në disiplina të ndryshme,” u shpreh Manastirliu gjatë takimit me nxënësit dhe mësuesit.
Shkolla “Mihal Grameno” është e pajisur me laboratorë të fizikës, kimisë, biologjisë, informatikës si dhe ambiente sportive.
Gjatë këtij viti, Ministria e Arsimit ka investuar në krijimin e dy laboratorëve inteligjentë të rinj në këtë shkollë, të cilët janë të pajisur me 32 laptopë për nxënësit.
Këto ambiente shërbejnë për të mësuar bazat e kodimit, programimit dhe përdorimit të sigurt të teknologjisë në projekte kreative.
Ministrja theksoi rëndësinë e përfshirjes së mësuesve në zhvillimin profesional dhe të nxënësve në projekte kërkimore dhe inovative.
Ajo përmendi rastin e një mësueseje anglishteje, e cila për të fituar gradën “mësues mjeshtër”, kishte punuar me nxënësit për të zhvilluar projekte novatore që do të prezantohen në Festivalin e Shkencës.
“Ky bashkëpunim mes mësuesve dhe nxënësve është një sintezë e duhur që ndihmon nxënësit të thellojnë njohuritë, të zhvillojnë aftësitë në fusha të ndryshme dhe të përgatiten për të ardhmen,” u shpreh Manastirliu.
Deri më tani, janë ngritur 316 laboratorë inteligjentë në shkollat e vendit, ndërsa deri në vitin 2027 synohet arritja e 1000 laboratorëve.
Ky zhvillim, sipas ministres, do të modernizojë më tej arsimin shqiptar dhe do të forcojë lidhjen mes teknologjisë, dijes dhe krijimtarisë.