Vendosni fjalën kyçe....

PD proteston më 16 maj në Tiranë, Boçi: Zgjedhjet u vodhën nga Rama, Samiti është show politik


Partia Demokratike ka njoftuar organizimin e një proteste më 16 maj në Bulevardin e Ri, në të njëjtën ditë kur në Tiranë do të zhvillohet një samit ndërkombëtar me pjesëmarrjen e liderëve europianë dhe botërorë. Protesta, sipas drejtuesve të PD, synon të denoncojë parregullsitë në zgjedhjet e fundit dhe të dërgojë një mesazh të qartë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Nënkryetari i PD-së, Luciano Boçi, akuzoi direkt mazhorancën për manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve, përmes blerjes së votës dhe përdorimit të krimit të organizuar e forcave policore.

“Zgjedhjet janë vjedhur e blerë nga Edi Rama. Është përdorur krimi i organizuar dhe krimi policor. Ka një koincidencë që në të njëjtën ditë mbahet samiti, por ajo që po ndodh është një show politik i Ramës,” deklaroi Boçi.

Ai theksoi se opozita synon të tregojë fytyrën reale të kryeministrit para ndërkombëtarëve.

“Në atë samit nuk transmetohet e vërteta. Ne po japim një mesazh të qartë: zgjedhjet janë vjedhur. Shqipëria nuk ka më liri vote, faktet kanë dalë dhe mesazhi duhet të merret seriozisht. Vota është devijuar dhe diferencat nuk kanë lidhje me politikën – hajduti është në samit dhe ne duhet të tregojmë problemin që ka vendi,” shtoi Boçi.

Sipas tij, kriza politike në vend nuk mund të zgjidhet pa largimin e kryeministrit, të cilin ai e cilësoi si “kryebandit”. “Ne duhet të zgjidhim problemin me këtë kryeministër, pastaj të merremi me situatën në PD. Lufta duhet të vazhdojë,” përfundoi ai.

Opozita vazhdon të akuzojë qeverinë për shkelje të rënda të procesit zgjedhor, të cilat sipas saj përbëjnë një rrezik serioz për demokracinë dhe të drejtën e qytetarëve për të votuar të lirë. Protesta e 16 majit pritet të jetë një nga përballjet më të forta publike të opozitës me qeverinë pas zgjedhjeve.