Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Bashkëpunim me partitë e reja vetëm nëse zbatojnë ‘3 kushtet’


Drejtuesi i Koalicionit Euroatlantik, Lulëzim Basha përjashtoi çdo lloj bashkëpunimi pas zgjedhjeve të 11 majit me forca që nuk mbështetin 3 pikat e panegociueshme të shpallura të programit të KEA-s: Lufta ndaj korrupsionit, mbështetja pa kushte ndaj SPAL dhe linjëzimi me partnerët strategjikë ndërkombëtarë.

I ftuar sot në ‘Studio Live’ të Report Tv, teksa i përgjigjej pyetjeve të moderatorit Arbër Hitaj, ai deklaroi se KEA nuk ka në listat e kandidatëve “mish dhie” siç ka futur PD-ja e Berishës, me ish-gjyqtarë e prokurorë të shkarkuar nga Vetingu (i referohet gjyqtarit sheik Gjin Gjoni dhe ish-prokurorit Arjan Ndoja), me Ilir Metën dhe me Elvis Roshin

Basha u pyet edhe për raportin politik me partitë e vogla apo të reja nëse do të dalë “kingmaker” pas 11 majit.

“Partive të reja u uroj suksese. Sfidë e madhe që t’u tregojnë shqiptarëve se janë përtej interesave personale dhe më afër shqiptarëve. Bashkëpunim me ta vetëm nëse zbatojnë 3 linjat që shpalla më sipër, mbështetja ndaj SPAK, lufta kundër korrupsionit dhe linja me partnerët strategjikë dhe të BE-së”, tha ai për ‘Studio Live’.

Basha dha edhe një mesazh nga studio e Report Tv për kryesocialistin Edi Rama, pas serisë së video-dising virtual në rrjetin social që prej nisjes së fushatës, me “7 herë 7 bëjnë 313” apo “ku i ke shokët?”.

“Në raport me Ramën mesazhi për të është se ka ardhur koha që të largohet. Nuk ka çfarë i jep më Shqipërisë, përveçse ta dëmtojë. Nuk ka më histori, 7 herë 7 bëjnë 313, ku i ke shokët, sepse bëjnë 313 dhe pyetja pse i ke shokët atje? Nuk janë një, dy, katër, por me dhjetëra, zyrtarë të të gjithë niveleve. Dhe ti thua se më hanë kumbulla e dardha pas shpine, kjo tregon ose je i paaftë, ose sa herë fut dorën nxjerr nga një hajdut, ose je pjesë e korrupsionit dhe ka ardhur koha që të largohesh”, përfundoi Basha fjalën e tij, me një tjetër ‘ngacmim politik’ në distancë ndaj kreut të qeverisë.