
Deputeti socialist i Fierit, Petro Koçi ka hedhur kritika për Bashkinë e këtij qyteti pasi sipas tij duhet të tregohet e rreptë me kompanitë që zvarritin punimet.
Koçi nga foltorja e Kuvendit morri shembullin e Libofshës ku po kryhet investimi i kanalizimeve të ujërave të zeza të cilat po zvarriten nga kompania që ka marrë tenderin.
Deputeti foli edhe për një “skemë të zezë korrupsioni” në Kadastrën e Fierit ku i kërkoi drejtorit të ri ta shembë atë.
“Dua të vijoj me disa vërejtje dhe problematika që kam gjetur nga kontaktet me njerëzit. Është detyra jonë që të përfaqësojmë zërin e qytetarëve. Dua të them që pushteti i zgjedhur duhet të jetë më i fortë se pushteti i kompanive. Në Libofshë me të drejtë janë bërë dy investime të mëdha. Te investimi për kanalizimin e ujërave të zeza, kompania që është marrë me këtë projekt i ka zvarritur gjërat. Banorët janë të pakënaqur. Bashkia duhet të jetë më e rreptë dhe i kërkoj drejtorit të ri të Kadastrës në Fier ta shembë skemën e zezë të korrupsionit atje dhe aty të vihen njerëz që përfaqësojnë profesionalizmin”-deklaroi Koçi.