Vendosni fjalën kyçe....

Protesta masive në Vjenë kundër vaksinimit të detyruar


Dhjetëra mijëra njerëz kanë protestuar ditën e shtunë në Austri kundër masave të vendosura nga qeveria për të frenuar përhapjen e Covid-19, duke përfshirë vaksinimet e detyrueshme.

Policia thotë se rreth 44 mijë njerëz u mblodhën në kryeqytet, në Vjenë, fundjavën e katërt radhazi të demonstratave.

Muajin e kaluar Austria u bë vendi i parë i Evropës Perëndimore që rivendosi një bllokim i cili përfundon të dielën. Por kufizimet do të vijojnë për personat e pavaksinuar.

Protestuesit, të mbështetur nga Partia e Lirisë së ekstremit të djathtë, janë kundër vendimit të qeverisë për t’i bërë të detyrueshme vaksinat Covid-19 nga shkurti.

Austria është i pari vend në BE që miraton një masë të tillë, që vlen për të gjithë banorët më të rritur se 14 vjeç, me përjashtim të rasteve që s’e kryejnë dot vaksinën për arsye shëndetësore.

Protestuesit thonë se njerëzit duhet të kenë lirinë të vendosin vetë nëse do të vaksinohen apo jo. Qeveria thotë se askush nuk do të vaksinohet me forcë, por ata që refuzojnë vaksinën do të marrin gjoba deri në 3 mijë e 600 euro.

Protestuesit mbanin pankarta që shkruanin “Jo vaksinimit të detyrueshëm” dhe brohoritnin “Ne jemi populli” dhe “rezistenca“. Demonstrata më të vogla u mbajtën në qytetet Klagenfurt dhe Linz.