Vendosni fjalën kyçe....

Si paraqitet situata në vend nga Moti i keq, zonat më të prekura (FOTO)


Shirat e dendur të 24 orëve të fundit kanë shkaktuar një sërë problematikash në të gjithë vendin, ku situata më e rënduar paraqitet në Fier dhe në Vlorë, për shkak të daljes së lumit Vjosa nga Shtrati.

Përmbytjet nga Vjosa, 11 familje të evakuuara

Si rezultat i prurjeve të mëdha rreth orës 03:30 lumi i Vjosës ka çarë digën e Urës së Mifolit duke shkaktuar një depërtim të ujit në pjesën e poshtme të saj.

Deri më tani 11 famije janë prekur nga shirat e rrëmbyeshëm të lumit Vjosa. Ndërsa është dashur të ndërhyhet me mjete të posaçme në Urën e Misfolit pas çarjes së digës.

Një informacion që është konfirmuar edhe kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli. Ai u shpreh se procesi i evakuimit ishte në vijim: “Janë evakuuar disa familje ndërsa të tjera nuk kanë pranuar të largohen nga banesat. Të gjitha strukturat përkatëse janë në terren.”

Pas situatës së krijuar edhe drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako ka zbritur në terren.

Ai tha se “janë vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet e strukturave lokale dhe qendrore. Nuk ka asnjë rrezik për banorët”. Çako shtoi se është punuar gjatë natës dhe është izoluar një argjinaturë e çarë që mund të rrezikonte zonën. Çako shtoi se pritet një intensitet në rënie i prurjeve të Vjosës. Ndërkaq Ura e Mesaplikut është e dëmtuar dhe banorët janë të izoluar.

Probleme me energjinë elektrike në Korçë dhe Pogradec

Si pasojë e reshjeve të shumta në segmentin e Dardhës trashësia e dëborës ka shkuar deri në 70 cm, ku pavarësisht punës dhe mirëmbajtjes së rrugës mjetet e vogla duhet të jenë të pajisura me zinxhirë, ndërsa Voskopoja dhe Qafa e Qarrit nuk kanë probleme me kalueshmërinë e mjeteve pasi dëbora varion nga 5 deri në 15 cm.

Probleme me energjinë elektrike vijon të ketë në territorin e Bashkisë Maliq pasi reshjet janë shoqëruar edhe me erë të fortë.

Mungesë të energjisë ka në Gorë, Moglicë, Kolanec, Zboqëri ndërsa mësohet se grupet e punës ndodhen në terren për të rikthyer energjinë.

Ndërkohë në Pogradec prej 48 orësh pa energji dy njësi administrative Dardhas dhe Trebinjë dhe 6 fshatra në njësinë Proptisht. OSHEE thotë se është duke punuar por në asnjë nga tre njësitë energjia nuk është kthyer deri më tani.

Ka pasur edhe rrëshqitje dherash në fshatin Zall Torrë dhe po merren masa për hapjen e rrugës.

Akset nacionale aktualisht janë të hapura dhe nuk paraqiten probleme me përjashtim të disa rrugëve dytësore rurale në të cilat mund të qarkullohet vetëm me zinxhirë.

Këshillohet për të gjithë drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

Dëbora 70 cm në Valbonë

Në zonën e Valbonës së Tropojë, trashësia e dëborës ka kapur 70 cm.

Dëbora e rënë ka shkakuar edhe probleme me furnizimin e energjisë elektrike, pasi prej më shumë se 24 orësh banorët qëndrojnë në terr.

Megjithatë deri më tani rruga është e kalueshme nga të gjitha mjetet edhe pa zinxhirë.

Gramshi pa ujë të pijshëm

Moti i keq me reshje shiu dhe dëbore ka sjellë probleme në bashkinë e Gramshit. Prej ditës së djeshme i gjithë qyteti është pa ujë të pijshëm, pasi është çarë një tub i linjës kryesore të ujit të pijshem. Mësohet se po punohet edhe nga ujesjëllsi e Bashkia për rregullimin e defektit.

Më problematike konsiderohet situata në rrugët rurale. Prej motit është këputur edhe nje pjese e rruges qe lidh fshatrat Kerpicë dhe Sotir.

Ndërkohë në njësinë administrative Pishaj nga reshjet është shembur argjiratura e betonit dhe dëmtimi i urës këmbësore, që lidh fshatin Liras me pjesën tjetër të njësisë për pasojë ky fshat është momentalisht i izoluar.

Situata në Kolonjë

Problematike shfaqet situate dhe në bashkinë e Kolonjës, ku rritja e prurjeve të lumit ka shkaktuar dëmtimin e këmbëve të urave në fshatrat Qafzes, Shtike dhe Gostivisht.

Bëhet me dije se në lëvizje janë vënë strukturat përkatëse në mënyrë që dëmi të mos jetë më i madh.

Situata në Lezhë

Emergjencat Civile kanë informuar për situatën në qarkun e Lezhës, ku raportohet se deri më tani janë përmbytur rreth 200 hektarë tokë në Balldren.

“Situata në qarkun Lezhë, ora 09.00, paraqitet e qetë.
Gjatë 24 orëve, kemi reshje me intensitet të ulet rradh meditare, në rreth 23 mm.

Nga raportimet e strukturave të MC, kemi:
Niveli i ujrave në shtretërit e lumenjve dhe sistemin kullues është në kuota normale;
Hidrovorët punojnë me kapacitetin të plotë dhe kuatat në basenet e tyre janë në kuata normale;
Në tokat depresive të kënetës Kakarriq, nj.ad. Balldren, bashkisë Lezhë kemi rreth 200 ha të përmbytura.”– thuhet në njoftim.

Rezervuarët thuhet se po mbahen në monitorim dhe rrugët nacionale, rurale dhe bashkiake janë të kalushme pa problem.

Furnizimi me energji elektrike po mbahet nën kontroll./Hashtag.al