Vendosni fjalën kyçe....

Përmbytjet nga Vjosa, Haki Çako zbret në terren: Po vijon procesi i evakuimit, nuk ka asnjë rrezik për banorët


Pas situatës së krijuar nga dalja e lumit të Vjosës, drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako ka qenë sot në Jug për të parë situatën e banorëve të përmbytur.

Në një prononcim për mediet, Çako tha se nuk ka asnjë rrezik për banorët. Ai thotë se janë evakuuar tri familje  në Ferras dhe se procesi i evakuimit po vijon.

Ai tha gjithashtu se është punuar gjatë natës dhe është izoluar një argjinaturë e çarë që mund të rrezikonte zonën. Çako shtoi se pritet një intensitet në rënie i prurjeve të Vjosës.

“Ajo që është më e rëndësishme është kapja e niveleve maksimale nga lumi Vjosa. Jemi në gatishmëri të gjitha strukturat. Aktualisht niveli i ujërave ndonëse ka kapur nivelin maksimal, nuk kemi përmbytje masive.

Në Ferras ka prezencë uji, janë evakuuar 3 familje. Aktualisht po vijon procesi i evakuimit. Janë vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet e strukturave lokale dhe qendrore. Nuk ka asnjë rrezik për banorët.

Pritet një intensitet në rënie e prurjeve të Vjosës, çka reflektohet me nivelin që po bie në Memaliaj, ku përqendrohen prurjet e Vjosës dhe Drinos. Po kështu edhe në pjesën e bashkisë dhe qarkut të Vlorës, në krahun e Mifolit nuk paraqiten probleme. Është punuar intensivisht gjatë gjithë natës, është izoluar dhe është mbyllur një çarje e argjinaturës e cila sillte probleme serioze për të gjithë zonën e Novoselës dhe të Mifolit.”– tha Çako.