Vendosni fjalën kyçe....

Nis në Britani prova e vaksinës kundër HIV


Studiuesit në Universitetin e Oksfordit në Mbretërinë e Bashkuar kanë administruar dozat e para të një vaksine të mundshme HIV, si pjesë e një prove klinike e nisur të hënën.

Prova e e quajtur HIV-CORE 0052, synon të vlerësojë sigurinë, tolerancën dhe imunogjenitetin e vaksinës HIVconsvX, tha universiteti. Projekti është pjesë e Nismës Evropiane të Vaksinave, financuar nga Komisioni Evropian.

Vaksina njihet si një ‘mozaik’, që do të thotë se mund të synojë një gamë të gjerë të varianteve të HIV-1 dhe potencialisht të bëhet një vaksinë e përshtatshme për përdorim në të gjithë botën.

Shkencëtarët do të japin dy doza të vaksinës me katër javë larg për 13 të rritur të shëndetshëm, HIV-negativë, të moshës midis 18 dhe 65 vjeç, të cilët nuk konsiderohen të rrezikuar nga infeksioni.

“Një vaksinë efektive e HIV-it ka qenë e pamundur për t’u realizuar për 40 vjet.” – tha Tomas Hanke, studiuesi kryesor i provës dhe Profesor i Imunologjisë në Institutin Jenner të Universitetit të Oksfordit, në një deklaratë.

Zgjidhja e Oksfordit funksionon duke stimuluar përgjigjen imune të trupit përmes qelizave T të cilat vrasin patogjenë specifikë, ndryshe nga shumica e kandidatëve të tjerë të vaksinave HIV, të cilat nxisin antitrupa të krijuar nga qelizat B për të luftuar virusin. HIV sulmon sistemin imunitar të trupit dhe mund të zhvillohet në AIDS kërcënuese për jetën nëse nuk trajtohet.