Kryeministri britanik Boris Johnson ka përjashtuar gjigantin teknologjik të Huawei nga zhvillimi i rrjetit 5G të Britanisë së Madhe.
Në një kthesë të madhe vetëm gjashtë muaj pasi miratoi përfshirjen e Huawei në zhvillimin e rrjetit të komunikimit, kryeministri dha urdhër që pajisjet e kompanisë kineze Huawei të hiqen plotësisht nga rrjeti 5G i Britanisë deri në vitin 2027, duke sinjalizuar se prodhuesi më i madh i pajisjeve të telekomit në botë nuk është më i mirëpritur në Perëndim.
Siç shkruan Independent, qeveria britanike insistoi se ishte një vendim thjesht teknik i detyruar nga sanksionet amerikane të vendosura nga Donald Trump për shkaqe sigurie në maj, që do të thoshte siguria dhe qëndrueshmëria e një rrjeti të mbështetur në produktet Huawei nuk mund të garantohej më.
Megjithatë Britania vazhdon të kërkojë “një marrëdhënie pozitive dhe konstruktive” me Kinën.
Por ambasadori i Kinës në Londër, Liu Xiaoming, u përgjigj:“Është bërë e diskutueshme nëse Mbretëria e Bashkuar mund të sigurojë një mjedis të hapur, të drejtë dhe jo-diskriminues të biznesit për kompani nga vendet e tjera.”