
Deputeti Gjin Gjoni i ka kërkuar kreut të SPAK, Klodian Braho, sqarime lidhur me mundësinë e nisjes së hetimeve ndaj kryeministrit Edi Rama apo thirrjen e tij si person në dijeni për çështjen “Albanian Files” dhe çështje të tjera që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Gjatë raportimit të Brahos në Komisionin Parlamentar “Nisma Qytetare”, Gjoni ngriti shqetësime për mos-thirrjen e kryeministrit në disa hetime të bëra publike.
“Shqipëria është në vendin e 91 për korrupsionin. Mosthirrja e kryeministrit, qoftë edhe si person në dijeni, për inceneratorët, Albanian Files, krimin e organizuar, a vë në pikëpyetje paanshmërinë tuaj?”, pyeti deputeti.
Ai kërkoi gjithashtu informacion nëse SPAK ka nisur hetime për çështjen “Albanian Files”, duke pyetur për lidhjet e mundshme mes personave që kanë porositur projekte ndërtimore dhe kryeministrit Edi Rama.
“A është nisur një hetim ndaj Ramës në lidhje me Albanian Files? A keni hetuar se kush janë personat që kanë porositur këto kulla dhe lidhjen e tyre me kryeministrin e Shqipërisë? Si janë bërë pagesat e kostove të projekteve që sot nuk janë miratuar ende nga shteti shqiptar, megjithëse është përgatitur një dosje me mbi 500 faqe?”, deklaroi Gjoni.
Në përgjigje, kreu i SPAK, Klodian Braho, tha se nuk do të komentojë çështje konkrete hetimore, por theksoi se çdo person mund të hetohet nëse ekzistojnë prova dhe nevoja ligjore për një hetim.
“Nuk kam asnjë koment. Nëse dikush ka prova, është i ftuar t’i depozitojë dhe të marrë përgjigje ligjore sipas ligjit. Asnjë person nuk është imun ndaj SPAK. Këtë e them me bindje. Kushti është nevoja hetimore dhe prova për kryerjen e një vepre penale”, u shpreh Braho.
Kreu i Prokurorisë së Posaçme foli edhe për pastrimin e parave me origjinë kriminale, duke e cilësuar këtë fushë si një aktivitet me rrezik të lartë.
Sa i përket pretendimeve për pasuritë e sekuestruara që mund të përfundojnë sërish te personat ndaj të cilëve janë marrë masat, përmes transaksioneve fiktive me persona të tretë, Braho tha se kompetencat e SPAK përfundojnë me nxjerrjen e urdhrit të sekuestrimit.
“Roli i SPAK është deri në nxjerrjen e urdhrit të sekuestrimit, nuk kemi kompetencë të jemi palë në çështje që lidhen me ekzekutimin. Procedura vijon në gjykatë”, deklaroi ai.
Braho shtoi se nuk kishte dijeni për raste konkrete ku persona të kenë rifituar pasuri të sekuestruara në mënyrë të tërthortë, por theksoi se nëse do të evidentohen raste të tilla, do të zhvillohen hetime ndaj të gjithë personave dhe zyrtarëve përgjegjës.