Vendosni fjalën kyçe....

“Mbështesim shqiptarët që protestojnë prej 45 ditësh për demokraci e shtetin e së drejtës” – CDI


Internacionalja Demokrate e Qendrës ka kritikuar përkeqësimin në vijim të demokracisë, shtetit të së drejtës e funksionimin e institucioneve demokratike.

Deklarata shpreh solidaritetin me opozitën demokratike dhe me mijëra qytetarë në Shqipëri, sidomos me të rinjtë që protestojnë prej më shumë se 45 ditësh.

Në fund CDI rikonfirmon angazhimin për të mbështetur popullin shqiptar në përpjekjet për pluralizëm, demokraci e shtetin e së drejtës.

“Deklarata e CDI mbi situatën në Shqipëri

Internacionalja Demokrate e Qendrës (CDI):

Shpreh shqetësimin e saj të thellë për përkeqësimin e vazhdueshëm të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe funksionimit të institucioneve demokratike në Shqipëri, siç pasqyrohet edhe në raportet dhe vlerësimet më të fundit ndërkombëtare.

Shpreh solidaritetin me opozitën demokratike dhe me mijëra qytetarë shqiptarë, veçanërisht me të rinjtë, të cilët prej më shumë se 45 ditësh radhazi protestojnë në mënyrë paqësore në mbrojtje të demokracisë, transparencës, shtetit të së drejtës, mbrojtjes së mjedisit, të drejtës së pronës dhe së ardhmes evropiane të Shqipërisë.

Rikonfirmon se e drejta për tubim paqësor, liria e shprehjes dhe pjesëmarrja politike janë liri themelore demokratike, të cilat duhet të respektohen dhe mbrohen plotësisht.

U bën thirrje autoriteteve shqiptare të angazhohen në një dialog të mirëfilltë demokratik, të zbatojnë plotësisht rekomandimet ndërkombëtare për reformën zgjedhore dhe forcimin e shtetit të së drejtës, të garantojnë konkurrencë të barabartë politike dhe të përmbahen nga çdo formë intimidimi apo presioni ndaj protestuesve paqësorë, gazetarëve dhe shoqërisë civile.

Rikonfirmon angazhimin e palëkundur të CDI-së për të mbështetur popullin shqiptar në përpjekjet e tij për demokraci, pluralizëm, shtetin e së drejtës dhe vlerat që përfaqëson CDI.” – thuhet në deklaratën e publikuar nga Enri Ceno në Facebook.