Vendosni fjalën kyçe....

Biden: Mbështetja e SHBA-së për Izraelin varet nga mbrojtja e civilëve


Presidenti amerikan, Joe Biden, i tha kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se mbështetja amerikane në të ardhmen për luftën në Gazë varet nga hapat e rinj për mbrojtjen e civilëve dhe punëtorëve të ndihmës.

Biden zhvilloi një bisedë telefonike me Netanyahun më 4 prill disa ditë pasi sulmet ajrore izraelite vranë shtatë punëtorë të ndihmës në Gazë, duke ndërlikuar edhe më shumë raportin gjithnjë e më të tensionuara mes udhëheqësve.

“Ai [presidenti Biden] e bëri të qartë se Izraeli duhet të njoftojë dhe zbatojë një seri specifike të hapave konkretë dhe të matshëm për të adresuar çështjen e mbrojtjes së civilëve, të dhimbjes humanitare dhe të sigurisë së punëtorëve të ndihmës”, tha Shtëpia e Bardhë përmes një deklarate pas bisedës telefonike.

“Ai e bëri të qartë se politika amerikane sa i përket Gazës do të përcaktohet në bazë të vlerësimit tonë lidhur me veprimet e Izraelit për këto hapa”.

Biden po ashtu i tha Netanyahut se “është thelbësor një armëpushim i menjëhershëm” dhe i bëri thirrje Izraelit që të arrijë një marrëveshje armëpushimi “pa vonesa”, tha Shtëpia e Bardhë.

Biseda mes Bidenit dhe Netanyahut u zhvillua pasi organizata Kuzhina Qendrore Botërore bëri thirrje për hetim të menjëhershëm ndaj sulmit ajror izraelit që la të vrarë anëtarë të kësaj organizate, përfshirë edhe një shtetas amerikan.