
George Prokopiou zotëron Dynagas dhe Dynacom, kompanitë e transportit të naftës që ka fituar të paktën 915 milionë dollarë nga tregtimi i naftës bruto ruse gjatë tre viteve të fundit
Greqia po bllokon paketën e re të sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj gazit rus për të mbrojtur Dynagas, kompaninë e transportit detar në pronësi të miliarderit grek George Prokopiou, e cila është specializuar në transportin e gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga impianti rus Yamal LNG në Arktik.
Sipas burimeve të njohura me diskutimet, ambasadori i Greqisë në BE u tha të mërkurën homologëve të tij se sanksionet e propozuara, të cilat do të ndalonin transportin e LNG-së ruse drejt vendeve të treta, do ta “shkatërronin” kompaninë Dynagas.
Dy burime të tjera konfirmuan se ambasadori e përmendi drejtpërdrejt Dynagas si arsyen pse Athina nuk mund të mbështeste paketën, e cila kërkon miratimin unanim të të gjitha vendeve anëtare.
Dynagas operon 27 cisterna për transport gazi, sipas portalit detar Equasis. Një e treta e flotës së saj përbëhet nga anijet e tipit Arc7, të ndërtuara posaçërisht për të lundruar në ujërat e ngrira të Arktikut pranë impiantit Yamal LNG.
Kundërshtimi i Greqisë ka vonuar për një javë miratimin e paketës së 21-të të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, duke lënë pezull edhe masa të tjera që synojnë banka ruse, rrjete të kriptomonedhave dhe kompani të industrisë ushtarake.
Paketa përfshin gjithashtu një mekanizëm për uljen e kufirit maksimal të çmimit të naftës ruse, mbi të cilin kompanitë nuk do të lejohen ta blejnë apo transportojnë atë.
Për shkak të mungesës së konsensusit, ambasadorët e BE-së ranë dakord të mërkurën në mbrëmje për të zgjatur me një javë kufirin aktual prej 44.10 dollarësh për fuçi, në mënyrë që të fitojnë kohë për negociata të mëtejshme. Pa këtë vendim, kufiri do të ishte rritur ndjeshëm për shkak të rritjes së çmimeve globale të naftës të shkaktuara nga konflikti me Iranin, duke i sjellë Rusisë miliarda dollarë të ardhura shtesë.
Sipas një zyrtari të BE-së, shtyrja synon gjithashtu të analizojë pasojat ekonomike dhe teknike të sanksioneve, përfshirë ndalimin e transportit të LNG-së ruse.
Diplomatë të tjerë evropianë argumentojnë se kompanitë e të gjitha vendeve anëtare kanë humbur biznes si rezultat i sanksioneve dhe se kjo është pjesë e përpjekjeve për të ushtruar presion ekonomik ndaj Moskës.
Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, deklaroi të hënën se i vinte keq që nuk ishte arritur ende një marrëveshje për paketën e 21-të.
“Sigurisht që shtetet anëtare kanë arsye të ndryshme për ta kundërshtuar atë,” tha Kallas.
“Qëllimi ynë është të arrijmë një marrëveshje. Nëse kjo nuk ndodh, do të fillojmë të punojmë për Planin B,” shtoi ajo, duke iu referuar mekanizmit për kufirin e çmimit të naftës.
George Prokopiou zotëron si Dynagas, ashtu edhe kompaninë e cisternave të naftës Dynacom, e cila, sipas të dhënave, ka përfituar të paktën 915 milionë dollarë nga transporti i naftës ruse gjatë tre viteve të fundit, më shumë se çdo kompani tjetër greke e transportit detar.
Dynacom ishte ndër kompanitë e para që rifilloi lundrimin e cisternave në Ngushticën e Hormuzit gjatë javëve të para të konfliktit SHBA-Izrael me Iranin.
Ndërkohë, Dynagas ka transportuar më shumë se 10 milionë tonë LNG ruse që nga fillimi i vitit 2025 me 11 anije, sipas llogaritjeve të Financial Times bazuar në të dhënat e kompanisë Kpler. Gjatë kësaj periudhe, këto anije kanë kryer 144 udhëtime.
Flota Arc7 është ndërtuar posaçërisht për t’i shërbyer impiantit Yamal LNG, i vendosur në bregdetin verior të Rusisë brenda Rrethit Arktik.
Sipas burimeve të njohura me negociatat, Greqia argumentoi se Dynagas nuk do të mund t’i përdorte këto anije në tregje të tjera dhe do të detyrohej t’ua shiste operatorëve jashtë Perëndimit. Çdo anije e këtij lloji kushton rreth 300 milionë dollarë dhe konsiderohet ndër më të ndërlikuarat për t’u ndërtuar.
Pjesa tjetër e flotës Arc7 operohet nga kompania Seapeak, në pronësi të fondit amerikan Stonepeak, nga kompania japoneze Mitsui O.S.K. Lines, ndërsa një anije është në pronësi të kompanisë ruse Sovcomflot.
Qeveria greke dhe kompania Dynagas nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times