
Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Klodian Braho, ka raportuar në Komisionin Parlamentar për Nismat Qytetare mbi aktivitetin e institucionit gjatë vitit 2025, ku është pyetur edhe për mungesën e personelit dhe nevojat infrastrukturore të strukturës së posaçme.
Zëvendëskryetari i komisionit, Ermal Elezi, ngriti shqetësimin për mungesën e stafit në SPAK dhe kërkesat buxhetore të institucionit, duke iu referuar raportit të Bashkimit Europian për sundimin e ligjit.
Në përgjigje, Braho sqaroi se raporti i BE-së i publikuar në vitin 2026 do të trajtohet në raportimin e vitit të ardhshëm, ndërsa theksoi se mungesat në personel lidhen kryesisht me Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH).
“Ju i referoheni raportit të BE-së për sundimin e ligjit, të publikuar në vitin 2026, që do të jetë objekt i raportit të vitit të ardhshëm. Mungesat në personel lidhen me të dy aspektet, por më së shumti me vendet ende të paplotësuara në BKH. Aktualisht janë 40 vende vakante për hetues, për të cilat shumë shpejt do të hapet procesi i aplikimit”, u shpreh Braho.
Ai shtoi se, ndonëse raporti i BE-së evidenton një rritje të ngarkesës së punës, ky vlerësim bazohet në të dhëna më të hershme të dërguara nga institucioni.
“Pavarësisht asaj që thuhet në raport për rritjen e ngarkesës së punës, ai i referohet të dhënave të mëparshme që i janë dërguar Bashkimit Europian. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, kurba e ngarkesës ka kaluar nga rritje në ulje”, deklaroi kreu i SPAK.