
Procedura e prokurimit me fond limit rreth 594.9 milionë lekë pa TVSH, ose afërsisht 6 milionë euro, për rikonstruksionin e rrugës dytësore Tiranë–Durrës në segmentin Hygeia–Megatek është ankimuar për kriteret e vendosura në dokumentet e tenderit.
Tenderi është shpallur nga Bashkia Tiranë dhe është parashikuar të zhvillohet më 16 korrik 2026. Ankesa kërkon ndryshimin ose heqjen e disa kushteve të kualifikimit, me argumentin se ato kufizojnë konkurrencën dhe nuk janë proporcionale me objektin e kontratës.
Një nga pretendimet kryesore lidhet me ndalimin që operatorët të mbështeten te kapacitetet e subjekteve të tjera për përvojën e mëparshme, licencat profesionale, drejtuesit teknikë, stafin inxhinierik dhe certifikatat ISO. Sipas ankesës, ky kufizim bie ndesh me praktikën e prokurimit publik dhe duhet të rishikohet.
Kundërshtimi i dytë ka të bëjë me kërkesën që të gjitha mjetet dhe pajisjet e deklaruara të jenë të angazhuara vetëm në këtë kontratë. Dokumentet parashikojnë skualifikim nëse këto mjete rezultojnë të përfshira në kontrata të tjera ende të papërfunduara me Bashkinë Tiranë.
Ankesa argumenton se kriteri është i panevojshëm dhe krijon paqartësi, pasi rregullat standarde kërkojnë që pajisjet të jenë në dispozicion sipas grafikut të punimeve, jo domosdoshmërisht të bllokohen ekskluzivisht për një kontratë.
Ndërhyrja në rrugë
Projekti përfshin rikonstruksionin e një aksi rreth 6.84 kilometra, nga rrethrrotullimi pranë Spitalit Hygeia deri te zona e Megatek dhe mbikalimi i Rinasit. Rruga shërben si akses për bizneset, zonat industriale dhe fshatrat përreth, si dhe si alternativë për lehtësimin e trafikut në hyrje të Tiranës.
Sipas raportit teknik, aksi ka asfalt të dëmtuar, gropa, trotuare të degraduara, probleme me ndriçimin dhe mungesë kanalizimesh të plota për ujërat e shiut. Projekti parashikon shtresa të reja rrugore, trotuare, ndriçim inteligjent, sinjalistikë, gjelbërim, stacione autobusi, sheshpushime për automjetet dhe rrjete të reja të infrastrukturës nëntokësore.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor