Vendosni fjalën kyçe....

“PD të lexojë sheshin. S’mund të ecim më sipas klaneve” – Kuçana pas përplasjes me Berishën


Ish-kandidatja e Partisë Demokratike për deputete, Ilirjana Kuçanaj, ka reaguar pas debatit që pati me kryetarin e PD-së, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar, duke akuzuar drejtuesit e forumit për shkelje të statutit të partisë.

Në një deklaratë për mediat, Kuçanaj tha se kishte depozituar një rezolutë, e cila sipas saj duhej të lexohej në fillim të mbledhjes nga kryetarja e Këshillit, pavarësisht nëse më pas do të miratohej ose jo nga anëtarët.

Sipas saj, dokumenti përmbante propozime për afrimin e Partisë Demokratike me protestën qytetare, si dhe masa për të luftuar atë që ajo e cilësoi si fenomenin e “mulizimit” brenda partisë.

Kuçanaj deklaroi se PD duhet të jetë më pranë qytetarëve që protestojnë dhe të reflektojë mbi kërkesat e tyre, duke propozuar ngritjen e dy strukturave të reja: një organ këshillimor me përfaqësues të botës akademike për të shërbyer si urë lidhëse mes partisë dhe protestës, si dhe një forum të përbërë nga studentë dhe përfaqësues të diasporës.

Ajo kritikoi gjithashtu mënyrën e funksionimit të strukturave të brendshme të PD-së, duke pretenduar se avancimi politik ndikohet nga grupe të caktuara dhe jo nga meritokracia.

“PD duhet të lexojë sheshin. Nëse nuk i dëgjon qytetarët dhe nuk afrohet me protestën, nuk mund të jetë një alternativë qeverisëse. Ka ardhur koha që partia të funksionojë mbi bazën e meritës dhe jo të ndikimit të klaneve”, u shpreh Kuçanaj.

Ish-kandidatja bëri të ditur se, përveç rezolutës, ka paraqitur edhe kërkesa të tjera pranë drejtuesve të partisë, të cilat nuk i ka bërë ende publike. Ajo shtoi se vendosi të flasë publikisht pasi, sipas saj, zëri i saj nuk u dëgjua brenda forumeve të Partisë Demokratike.

“Kam depozituar një rezolutë, të cilën kryetarja e ka detyrim ta lexojë. Rezolutën për ta votuar, nëse e voton ose jo Këshilli, mbetet në dorën e tyre. Kryetarja nuk mund ta fillojë detyrën duke shkelur statutin. Duhet ta lexojë rezolutën dhe ajo ka një votë, siç kam edhe unë; të gjithë janë të barabartë.

Në këtë rezolutë ka diçka thelbësore që ka të bëjë me PD-në dhe protestën. PD duhet të lexojë sheshin. Njerëz që nuk i pranon sheshi nuk mund të katapultohen në pozicione. Unë kam kërkuar, si një parti politike, të dalim nga Këshilli me një rezolutë në mbështetje të protestës. Kam kërkuar edhe një mbështetje sa i përket PD-së. Kam kërkuar zotit Berisha dhe Këshillit të miratojmë dy organe të rëndësishme: një pjesë intelektuale, që të jetë mes protestës dhe partisë, dhe një forum studentësh dhe nga diaspora, që të përafrohemi me sheshin, që të jemi sa më afër protestës.

PD, nëse nuk lexon sheshin, nuk mund të jetë parti alternative. Pika e tretë ka qenë Mulizimi i PD-së. Mulizimi klanor i PD-së. Nuk mundet që në PD, kush do karrierë, duhet të mbështetet nga Muli, duhet të kalojnë nga zyra e Flamur Nokës. Ka ardhur momenti që PD të kthehet në meritokraci. Mulizimi është një fenomen që duhet luftuar. I ftoj të gjithë anëtarët e Këshillit të luftojnë mulizimin dhe kandidatët që janë propozuar prej tij. Duhet të votojmë njerëz që janë të shkëputur nga klanet.

Kam depozituar edhe disa kërkesa që nuk i kam bërë publike për shkak të etikës. Në momentin që në forum nuk më dëgjohet zëri, jam i detyruar të dal ta bëj me dije edhe për shqiptarët. Në momentin që PD nuk do të dëgjojë anëtarët e Këshillit, është një problem i madh. PD duhet të afrohet me protestën”, tha Kuçana.