
Një aksident i rëndë rrugor është shënuar në autostradën Lushnjë–Rrogozhinë, në zonën e fshatit Zhamë-Sektor, ku një automjet tip fuoristradë ka përplasur një 75-vjeçare që po kalonte rrugën.
Sipas informacioneve paraprake, e aksidentuara është Bajame Ramazani, banuese në Zhamë-Sektor. Dyshohet se ajo po kalonte autostradën nga njëra anë në tjetrën për të shkuar drejt tokave të saj bujqësore, duke kaluar mbi trafikndarëse, rreth 50 metra larg një mbikalimi për këmbësorët.
Përplasja ka qenë e fortë, ndërsa e moshuara ka pësuar plagë të rënda. Ajo është transportuar me urgjencë në Spitalin e Lushnjës, ku ndodhet në gjendje kritike për jetën dhe po merr trajtim në repartin e kujdesit intensiv.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat kanë nisur hetimet për dokumentimin e plotë të aksidentit dhe po punojnë për disiplinimin e trafikut në zonë. Drejtuesi i fuoristradës është shoqëruar në polici deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Sipas të dhënave paraprake, 75-vjeçarja kishte zgjedhur të kalonte autostradën jashtë mbikalimit, megjithëse në atë segment rrugor ekziston një kalim i dedikuar për këmbësorët. Banorët e zonës, sipas burimeve lokale, shpesh e shmangin përdorimin e mbikalimit për të arritur më shpejt në tokat bujqësore në anën tjetër të rrugës.
Policia vijon hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe përgjegjësitë e plota të aksidentit.