Vendosni fjalën kyçe....

Zjarr i përmasave të mëdha në një pyll pranë Parisit, evakuohen banorët



Zjarrfikësit francezë po luftojnë për të vënë nën kontroll një zjarr të madh që shpërtheu të dielën në pyllin Fontainebleau, në jug të Parisit, përcjell Euronews.

Autoritetet e kanë cilësuar zjarrin si “jashtëzakonisht të fuqishëm” dhe me përmasa të pazakonta. Deri tani flakët kanë përfshirë rreth 800 hektarë sipërfaqe pyjore dhe vijojnë të përhapen.

Për shkak të situatës, është mbyllur pjesërisht autostrada A6, një nga arteriet kryesore që lidh veriun me jugun e Francës.

Me rënien e natës, avionët zjarrfikës u detyruan të ndërpresin operacionet, ndërsa ekipet në terren vijuan luftën me flakët.

Rreth 15 banesa janë evakuuar në fshatin Vaudoue, ndërsa zjarrfikësit po mbrojnë edhe disa vendbanime të tjera të rrezikuara.

Në operacion janë angazhuar rreth 400 zjarrfikës, dy avionë zjarrfikës, dy helikopterë dhe një avion vëzhgimi.

Përfaqësuesi i Federatës Kombëtare të Zjarrfikësve të Francës, Eric Brocardi, deklaroi se është hera e parë që avionët zjarrfikës dislokohen nga jugu i vendit drejt rajonit të Parisit për të përballuar një zjarr pyjor.

“Qëllimi ynë është të shpëtojmë jetë njerëzish dhe të mbrojmë pronat”, tha ai.

Franca po përballet aktualisht me valën e tretë të të nxehtit që prej muajit maj, duke rritur ndjeshëm rrezikun e zjarreve. Temperaturat ekstreme kanë thyer rekorde në disa vende të Evropës dhe, sipas vlerësimeve, kanë shkaktuar mijëra vdekje shtesë në Belgjikë, Britani, Francë dhe Spanjë.

Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, bëri të ditur se që nga fillimi i vitit zjarret pyjore kanë përfshirë rreth 17 mijë hektarë, ndërsa vlerësohet se kjo shifër mund të arrijë në 25 mijë hektarë, rreth dy herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.